“Bild”: Borussia pranë Dzekos

29/01/2014 19:25

Borussia e Dortmundit është pranë firmosjes me sulmuesin e Manchester City, Edin Dzeko, i cili konsiderohet nga nënkampionët e Europës si zëvendësuesi ideal i Lewandowskit.

Me golashënuesin polak që do të kalojë tek Bajerni sezonin e ardhshëm, Borussia po kërkon me intensitet një zëvendësues dhe boshnjaku 27-vjeçar duket se do të mirëpriste mundësinë e rikthimit në Bundesligë, në një skuadër ku mund të luajë si titullar fiks.

Ndonëse ka shënuar në mënyrë konstante që prej transferimit në “Etihad Stadium”, ish-kampioni i Gjermanisë me Wolfsburgun në 2009, Dzeko e ka patur të pamundur të fitojë një vend në formacionin bazë, për shkak të konkurrencës së Agueros dhe Negredos, dyshja e preferuar e Pellegrinit gjatë këtij sezonit.

Megjithatë, në mënyrë që operacioni i merkatos së shpallur këtë të mërkurë në faqet e të përditshmes gjermane “Bild” të konkretizohet, sulmuesi boshnjak duhet të pranojë më parë një reduktim të pagës së tij aktuale.

Sipas mediave britanike, përfaqësuesit e Dortmundit kanë mbërritur në Manchester edhe me një synim tjetër merkatoje, vendosjen e kontakteve me sulmuesin e United, meksikanin Hernandez, i cili shihet si i përshtatshëm nga trajneri Klopp për skemat e tij ku vlerësohet mbi të gjitha shpejtësia dhe shkathtësia.

Top Channel