Rama inspekton HEC-in e Banjës

28/01/2014 00:00

Kryeministri Edi Rama ka ndjekur nga afër, procesin e ndërtimit të dy hidrocentraleve të para, në Luginën e Devollit një investim që  parashikohet të jetë 535 milionë euro, që rrit prodhimin e energjisë elektrike në gati 17%.

Drejtori Ekzekutiv, Ola By: “Kemi një mbështetje shumë të madhe nga Qeveria. Ne po zgjidhim gjërat. Kemi akses të lehtë.”

Tina Lyer, Senior International Hydro Statkraft: “Kjo është sigurisht shumë e rëndësishme për investitorët e huaj që të kenë mbështetje për të cilën kanë nevojë.”

Kryeministri Edi Rama: “Ne do të bëjmë çdo gjë, ditë e natë, për të mbështetur të gjithë investitorët dhe investimet e tilla, si ky, që plotësojnë standardet si kudo në Europë, standardet që meriton Shqipëria. E dyta, ne i mbështesim plotësisht këto lloj investimesh dhe çdo investim që  krijon vende pune të reja. Krijimi i vendeve të reja punës është një lajm i mirë. Në 3 vitet e ardhshme do të arrijnë në afro 3 mijë vende të reja pune. Kjo është një gjë shumë e mirë dhe për këtë jemi ne këtu.”

Më pas Kryeministri Edi Rama vizitoi një fidanishte në qytetin e Cërrikut me sipërfaqe 10 mijë m2 dhe kapacitet rritjeje gjysmë milioni fidanë në vit që është investim i qeverisë së Turqisë.

Kryeministri Rama nënvizoi rëndësinë e këtyre investimeve duke  kërkuar nga Ministri i Mjedisit, Lefter Koka që projekte të tilla të shtrihen në të gjithë vendin.

***

E ndërsa prerja e pyjeve në të gjithë Shqipërinë, është shndrruar në një epidemi që nuk ndalet, në  Krastë të Elbasanit nisi pyllëzimi me fidanë të rinj.

“Unë besoj se fidanishtja e re, fusha e re e përpunimit të mbetjeve është kaq shumë e kërkuar me dekada dhe ne do të fillojmë nga puna për ta transformuar në një landfill për t’i dhënë fund helmimit të përnatshëm të qytetit. Projekti i pyllëzimit këtu në këtë zonë dhe pastaj, që do të shtrihet kudo ku do të na duhet të fillojmë ripërtëritjen e pyjeve, përbëjnë një pamje komplekse besoj, të shprehjes së vullnetit tonë për t’i kthyer të gjithë këtij qarku, por edhe të gjithë Shqipërisë, shpresën e humbur se mjedisi do të rehabilitohet, se mjedisi do të jetë në shërbim të njerëzve, se mjedisi do të jetë burim shëndeti dhe jo burim sëmundjesh”, tha Rama.

***

Kryeministri Edi Rama vizitoi gjithashtu stadiumin e qytetit të Elbasanit nga ku premtoi akordimin e një fondi për kthimin në një stadium me standarde.

“Qeveria do rindërtojë stadiumin, këtu do të luhen ndeshjet e skuadrës sonë kombëtare deri kur të jetë ndërtuar stadiumi i Tiranës. Ne do të marrim përsipër, në bashkëpunim me federatën ta transformojmë këtë stadium ashtu siç duhet”, tha Rama.

Top Channel