F1, Vettel: Kjo është periudhë përshtatjeje

28/01/2014 00:00

Sebastian Vettel, katër herë kampion në Formulën 1 me makinën Red Bull, ka deklaruar se kjo është një periudhë përshtatjeje me rregullat e reja për të gjithë skuadrat pjesëmarrëse në Botëror.

“Është shumë shpejt për të thënë se ku mund të arrijmë në sezonin e ardhshëm. Mendoj se pas dy garave të para do të jemi më të qartë sepse për momentin kjo është një periudhë përshtatjeje për të gjithë”, tha piloti gjerman, i cili ndodhet në pistën e Jerezit, aty ku kanë nisur testimet parasezonale.

Vettel shpjegoi se pilotët duhet të ndryshojnë paksa stilin e pilotimit: “Duhet të kujdesemi më shumë për makinën dhe lëndën djegëse. Garat do të jenë më ndryshe nga ç’jemi mësuar.”

Kampioni në fuqi i Botës nuk bëri asnjë xhiro paraditen e sotme për disa probleme mekanike në Red Bullin e tij. Ai tha: “Patëm disa probleme me makinën që shpresoj t’i zgjidhim sa më shpejt.”

Në fund, dy fjalë edhe për Michael Schumacher: “Jam ende i shokuar dhe po pres një mrekulli.”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA