Schumaker nuk do të zgjohet së shpejti

27/01/2014 19:35

Shtatë herë kampioni i botës në Formulën 1, Michael Schumaker, do të qëndrojë edhe disa kohë në gjendje kome në klinikën e Grenoblit, ku ai mbetet i shtruar që prej 29 Dhjetorit pas dëmtimeve të rënda të marra në kokë gjatë një aksidenti me ski.

“Nuk ka asnjë element që të bëjë të shpresojmë në një zgjim të hershëm të Schumit. Mjekët përjashtojnë që të tentojnë diçka të tillë në këtë moment”, shkruante të hënën e përditshmja gjermane “Bild”.

Në artikull pasqyrohej edhe mendimi i një neurologu belg, i cili shpjegonte që pavarësisht gjendjes së stabilizuar, tentativa për nxjerrjen e 45-vjeçarit nga koma e induktuar duhet peshuar mirë pasi mund të shkaktojë dëme nëse nuk është momenti i përshtatshëm.

Megjithatë, mjeku pranoi se sa më shumë kohë kalon ish-piloti në gjendje kome, aq më të pakta janë shanset e tij për rikuperim.

Sipas tij, vetëm 20% e atyre që kalojnë në koma gjashtë muaj arrijnë të fitojnë betejën me vdekjen, ndërsa tek ata që kalojnë mbi një vit, shanset reduktohen në mënyrë dramatike.

Sabine Kehn, përfaqësuesja e Schumaker, ka pranuar më parë se “fatkeqësisht, dëmtimet në tru janë serioze dhe të përhapura”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA