Studiuesi shqiptar Cezarin Toma prezantoi në sallën e nderit të Komunës
së Pistoies,  librin e tij të fundit me titull “Fati i shkrimtarëve
modernë italianë në Shqipëri dhe tek arbëreshët”.

Vepra sjell një tablo të plotë të ndikimeve të letërsisë italiane tek ajo shqiptare, të përkthimeve të veprave italiane në shqip në periudhën përpara vitit 1945, ndikimin që autore si Leopardi apo D’Annunzio, kanë patur në krijimtarinë e autorëve shqiptarë. Një pjesë e librit i kushtohet miqësisë mes shkrimtarëve. Jeronim De Rada ishte mik me Nikolo Tomaseo,  Zef Schiro me Luigi Pirandello; letërkëmbimi i të cilëve është një pasqyrë e vlerave letrare të letërsisë e kulturës arbëreshe.

Libri, i shtëpisë botuese Albatros, u prezantua nën kujdesin e departamentit të Kulturës së komunës së Pistoies, në Toskanë dhe është konsideruara nga kritikët si një risi për mënyrën se si ka sjellë lidhjet mes dy letersive, si nga pikepamja kulturore dhe nga ajo shoqërore.

Cezarin Toma, me origjinë nga Shkodra ka mbaruar studimet për letërsi moderne në Firenze dhe prej vitesh jeton në Itali. Është autor i disa studimeve dhe eseve, por nuk ka lënë kurrë pas dore letërsinë. Ka botuar në shqip dhe italisht si prozë ashtu dhe poezi, me këto të fundit ka fituar disa çmime prestigjoze.

Top Channel