Kapen dy autorët e shpërthimit

27/01/2014 00:00

Policia arreston dy autorët e parë të shpërthimeve me eksplozivë, që prej disa javësh po krijojnë një situatë shqetësuese.

Prania e shpejtë e policisë në vendin e ngjarjes ka bërë të mundur zbardhjen e shpërthimit të kësaj fillimjave në Fushë-Krujë dhe kapjen e dy vëllezërve, si autorë të dyshuar të kësaj ngjarjeje.

Rreth orës 02:00 të së hënës, fshati Larushk i Fushë-Krujës është tronditur nga një shpërthim tritoli, të vendosur në një mobileri të fshatit. Nga shpërthimi ka pasur vetëm dëme materiale, pasi objekti ishte i mbyllur në atë orë.

Shërbime të policisë janë afruar me shpejtësi në vendin e ngjarjes dhe janë vënë në ndjekje të një automjeti tip Benz, me të cilin po largoheshin të dyshuarit.

Në afërsi të Kamzës, autorët kanë braktisur mjetin dhe janë larguar në mes të natës. Pasditen e së hënës, te kryqëzimi i rrugës Larushk, u kap Astrit Leza, 35 vjeç nga Larushku, më pas u kap edhe vëllai i tij, 29-vjeçari Skënder Leza, të dy të dyshuar si autorë të shpërthimit, për shkak të një konflikti të mëparshëm mes 35-vjeçarit Leza dhe pronarit të mobilerisë.

Ndërkohë, shumë shpërthime të tjera të realizuara me lëndë plasëse janë ende pa autor.

Top Channel