Wawrinka fiton Australian Open

26/01/2014 00:00

Është Stanislas Wawrinka kampioni i Australian Open 2014. Në Rod Laver Arena të Melburnit, tenisti zviceran mundi në 4 sete (6-3, 6-2, 3-6 dhe 6-3) spanjollin Rafael Nadal.

Për 28-vjeçarin ky është Grand Slam-i i parë i fituar në karrierë.

Nadal pati probleme në shpatull që e penguan të luftonte për Grand Slam-in numër 14 në karrierë. Nëse do e kishte fituar, spanjolli do barazonte Pete Sampras për turnetë e mëdha të fituara.

Nadal u dëmtua në setin e dytë dhe shkoi në dhomat e zhveshjes për t’u trajtuar nga Hugo Granville, i cili i masazhoi me krem shpatullën dhe i injektoi antiinflamatorë.

Gjatë kësaj kohe, shpërtheu një betejë verbale mes Wawrinkas dhe arbitrit Carlos Ramos. Zvicerani kërkonte të dinte se çfarë dëmtimi kishte Nadali. “Duhet të ma thuash”, i thonte Wawrinka Ramosit, i cili i përgjigjej: “Bëj çfarë të duash, por nuk ta them”.

Ramos kërkoi më pas ndihmën e Stefan Fransson, gjyqtarit kryesor të turneut, për të qetësuar tenistin zviceran. Në fund, ishte shefi i gjyqtarëve, Wayne McKewen, ai që i tregoi Wawrinkas që Nadali ishte dëmtuar në shpatull.

Kur u kthye në fushë, spanjolli ishte një hije e vetvetes dhe Wawrinka e pati të lehtë ta mundte numrin 1 të Botës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA