Tiranë, kapen 300 kg hashash

25/01/2014 00:00

Policia e Tiranës ka sekuestruar mbrëmjen e së shtunës 300 kilogramë hashash, që po transportoheshin me një furgon pasagjerësh.

Lajmin e bëjnë të ditur burime policore zyrtare, sipas të cilave agjentët kanë ndaluar dhe shoqëruar në komisariat pesë persona, të dyshuar si posedues të lëndës narkotike.

Burimet bëjnë me dije se personat në fjalë do të merren në pyetje për të zbuluar të tjera detaje mbi trafikun e drogës, ndërkohë që operacioni është ende në vazhdim.

Më herët gjatë javës, një sasi e konsiderueshme hashashi u sekuestrua në orët e vona të së martës në Durrës.

Droga u konstatua në pikën e kalimit kufitar në port, brenda një trajleri të ngarkuar me mineral ferrosilik që vinte nga Maqedonia, tranzit për në Shqipëri drejt Italisë.

Autoritetet deklaruan se sasia e bimës narkotike e futur brenda thasëve me mineral shkonte mbi 450 kilogramë.

Burime nga policia kufitare bënë të ditur se trajleri, koka e të cilit kishte targën “KO 0343 TB” i përkiste firmës “Pek-Trans” me qendër në Vinica, një qytet në pjesën lindore të Maqedonisë.

Dyshohej se droga, që do të trafikohej drejt Italisë, mund të ishte ngarkuar në territorin shqiptar.

Ndërkohë, sasi kanabisi nga Shqipëria u kapën më herët gjatë muajit edhe në vendet fqinje. Kështu, një sasi prej 1.135 kilogramësh u sekuestrua në Aspropirgo të Athinës.

Policia greke njoftoi se, tre vendas, një shtetas shqiptar dhe një pakistanez u arrestuan gjatë ngarkimit të drogës në një kamion-frigorifer që kishte destinacion vendet europiane.

Policia tha se sasia e drogës kishte mbërritur nga Shqipëria dhe në vazhdim paketohej në dyshemenë e kamionëve-frigoriferë që dërgoheshin në vendet e BE, ku shitej me shumicë.

Ndërsa në Itali u desh bashkëpunimi i specialistëve me forcat e rendit për të arritur në zbulimin e një sasie të madhe droge të sjellë nga Shqipëria, e fshehur në një bllok mermeri prej 20 tonësh.

Top Channel