Tiranë, arrestohet vrasësi me pagesë

25/01/2014 00:00

Policia e Tiranës ka arrestuar mbrëmjen e së shtunës në kryeqytet një të ri 27-vjeçar, i kërkuar nga drejtësia për vepra të rënda penale.

Lajmin e bëjnë të ditur burime policore zyrtare, sipas të cilave në pranga ka përfunduar shtetasi Julian Sinani, i cili dyshohet se ka kryer një seri vrasjesh me pagesë.

Sipas burimeve, 27-vjeçari dyshohet të ketë kryer ekzekutime si brenda, ashtu edhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, si dhe vepra të tjera kriminale.

Burimet shtojnë se në momentin e arrestimit atij iu gjet një pistoletë e tipit “TT”, si dhe një aparat fotografik, me të cilin dyshohet se fotografonte krimet e tij.

Më herët gjatë ditës së shtunë, blutë e kryeqytetit vunë në pranga një tjetër të shumëkërkuar, shtetasin Ilir Kupa, i cili në mars 2013, së bashku me dhjetë persona të tjerë u arratis nga burgu grek i Trikallas.

Një burim zyrtar i tha Top Channel se prej ditësh agjentë të krimeve dhe të forcave speciale mbanin nën vëzhgim zonën periferike të Tiranës, derisa ranë në gjurmët e 27-vjeçarit Kupa.

Gjatë mesnatës, në një rrugë dytësore mbas një qendre tregtare në zonën në fjalë, një postbllok policie lokalizoi dhe tentoi të ndalonte një automjet me targa të huaja, në të cilin ndodhedhin tre persona, njëri prej të cilëve ishte Kupa.

Menjëherë forcat e policisë së komisariatit numër 6 të kryeqytetit u vunë në ndjekje të auomjetit dhe bllokuan rrugët hyrëse dhe dalëse.

Gjatë ndjekjes automjeti ku ndodhej 27-vjeçari doli nga rruga, ndërsa thuhet se në aksion pati edhe shkëmbim zjarri mes tij dhe policisë. Dy personat e tjerë u larguan nga vendngjarja, ndërkohë që Kupa përfundoi në pranga.

Gjatë aksionit policia zbuloi brenda automjetit armë dhe maska, çka i ka bërë hetuesit të dyshojnë se ky grup mund të jetë i njëjti me atë që grabiti një qendër tregtare nën maskën e babagjyshëve fundvitin e kaluar.

Këto dyshime janë hedhur paraprakisht për shkak të një informacioni të përcjellë nga autoritetet greke për një tjetër grabitje të ndodhur në Greqi nga pesona të maskuar si mjekë.

Top Channel