Tiranë, ndërron jetë biznesmeni i ndërtimit

24/01/2014 00:00

Ka ndërruar jetë në Spitalin Ushtarak në Tiranë biznesmeni i ndërtimeve Xhemal Çela, i mbetur i plagosur rëndë një ditë më parë pas shpërthimit të një sasie tritoli në mjetin e tij teksa ishte duke udhëtuar në aksin rrugor Durrës-Plepa.

Në automjetin tip Citroen me targa AA 759 EY ndodhej vetëm drejtuesi i mjetit i identifikuar më pas si 45-vjeçari Xhemal Çela, banor i Shkozetit. Nga shpërthimi makina është dëmtuar plotësisht, por drejtuesi i mjetit, me aktivitet në fushën e ndërtimit ka arritur të dalë prej saj edhe pse në gjendje të rënduar. Ai u shoqërua menjëherë drejt spitalit të Durrësit më pas në Tiranë.

Nga hetimet e para bëhet e ditur se shpërthimi është rezultat i aktivizimit të një sasie lënde eksplozive që ishte vendosur më parë në automjet. Grupi hetimor ka kryer veprimet e para në vendin e ngjarjes dhe nisur punën për zbardhjen e këtij krimi, duke nisur nga konstatimi i konflikteve të mundshme të të plagosurit.

Hetimet

Ka shkuar në 23 numri i personave të shoqëruar në polici në lidhje me shpërthimin e automjetit të biznesmenit të ndërtimit në qytetin e Durrësit.

Grupi hetimor është fokusuar në dy-tre pista për të zbardhur ngjarjen e rëndë që çoi në plagosjen e ndërtuesit Xhemal Çela 48 vjeç nga Durrësi dhe djegjen e plotë të automjetit të tij tip Citroen me targa AA 759 EY. Pistat e hetimit janë fokusuar në konflikte të ndërtuesit Çela për shkak të aktivitetit në sektorin e ndërtimeve, por edhe për konflikte të tjera të mundshme jashtë aktivitetit profesional.

Xhemal Çela po udhëtonte në aksin rrugor Ura e Dajlanit-Plepa, pranë bllokut të vilave qeveritare, kur automjeti i tij ka shpërthyer, duke shkaktuar plagosjen e drejtuesit që është dëmtuar rëndë në pjesën e poshtme të trupit dhe ka pësuar hemorragji.

Lënda plasëse që deklarohet të jetë një sasi tritoli, e vendosur në pjesën e poshtme të automjetit në krahun e drejtuesit, është aktivizuar me telekomandë. Autori dyshohet se e ka ndjekur në distancë mjetin e Çelës, për të shmangur pasojat te personat e tretë që lëviznin në rrugën e plazhit.

Top Channel