Bayern, arratisje dhe 42 ndeshje pa humbje

24/01/2014 00:00

Bundesliga rifilloi aktivitetin e saj me fazën e dytë pas pushimeve dimërore, teksa të premten kampionët në fuqi të Bayern Munchen e nisën aty ku dhe e lanë vitin e kaluar.

Bavarezët mposhtën me meritë Borussia Munchengladbach, të vendit të tretë, për të rritur më tej kryesimin në renditje, por edhe ecurinë e tyre pa u mposhtur në kampionat me plot 42 ndeshje.

Në “Borussia Park”-un e mbushur përplot me 54,010 spektatorë, ku Gladbach nuk ishte mposhtur asnjëherë më parë gjatë këtij sezoni, duke barazuar vetëm 1 herë, ekipi i Pep Guardiola-s kaloi menjëherë në avantazh që në minutën e 7, falë Mario Gotze, e më pas vetëm sa dominoi në mbajtjen e topit deri në fund të pjesës së parë.

Pavarësisht se bavarezët dështuan të konvertonin superioritetin e tyre në më shumë gola, pati edhe momente të rrezikshme si gjuajtja e Max Kruse shumë pranë portës së mbrojtur nga Manuel Neuer.

Kampionët e Gjermanisë dyfishuan më pas rezultatin me të filluar pjesa e dytë, ekzaktësisht në minutën e 54, kur Muller shndërroi në gol një gjuajtje nga 11-metërshi, për të vijuar thuajse me të njëjtin dominim, por me më shumë raste të pastra për gol nga të dy ekipet, e për ta mbyllur 90-minutëshin me një fitore të merituar të Bayern.

Fitorja e 15 në 17 ndeshje të zhvilluara (Bayern, 1 ndeshje më pak për shkak të Botërorit të Klubeve) i ngre bavarezët në kuotën e 47 pikëve, 10 më shumë se vendi i dytë i mbajtur nga Leverkusen, ndërkohë që tashmë 14 pikë larg kundërshtarëve që sapo mposhti.

Të mërkurën e ardhshme, Bayern do të luajë sërish për Bundesligën, këtë herë ndeshjen e prapambetur me Stuttgart, takim i shtyrë nga muaji Dhjetor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA