Neymar fiton 17 mln euro në sezon

23/01/2014 00:00

Emisioni sportiv spanjoll ‘Carrusel Deportivo’ i ‘Cadena Ser’ ka zbuluar të gjitha detajet e kontratës së Neymar me Barcelonën dhe ka treguar se braziliani i blerë verën e kaluar nga katalanasit do të fitojë një total prej 17.680.000 eurosh në sezonin e parë të tij.

Paga e tij është 9.180.000 euro, por kësaj shume i shtohen 8.5 milionë që tashmë Neymar i ka marrë si shpërblim për transferimin në Spanjë.

Gjithashtu, kontrata specifikon një seri bonusesh që lidhen me objektivat e arritura. Kështu, Neymar do të marrë 637.500 euro për kualifikimin në Champions, 425.000 për kalimin e fazës së grupeve në Champions dhe 850.000 nëse e fiton këtë kompeticion.

Nëse Barcelona fiton titullin kampion në Spanjë, Neymar do të fitojë 637.500 euro dhe nëse këtij titulli i shtohet Kupa e Mbretit, shuma shkon në 850.000 euro. Nëse vetë sulmuesi do të fitojë Topin e Artë, do të shpërblehet nga klubi me 425.000 euro.

Në këtë mënyrë, të ardhurat vjetore të Neymar do të afrohen me ato të Leo Messi dhe duke marrë parasysh këtë, rinovimi i yllit argjentinas do i kushtojë shumë shtrenjtë Barcelonës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA