Deloitte, Reali, klubi më i pasur. Bie Man Utd

23/01/2014 00:00

Manchester United po rrëshket jo vetëm në kampionatin e këtij sezoni, por edhe sa i përket renditjes së tij mes klubeve më të pasur të botës.

Pavarësisht se ka pasur një rritje në të ardhurat e tij në plot 574 milionë dollarë, për herë të parë në këto 17 vitet e fundit, “djajtë” nuk bëjnë pjesë ndër 3 klubet më të pasura të botës.

Për një organizatë, që dikur kaloi 8 vjet në krye të këtij klasifikimi të përvitshëm, të hartuar nga firma audituese Deloitte, kjo përbën një goditje financiare, sidomos kur bëhet fjalë për një nga klubet më të dekoruara të botës së futbollit.

Gjigantët spanjollë të Real Madrid ruajnë vendin e parë për të 9-in vit radhazi, një rekord më vete, pavarësisht se nuk fitoi asnjë trofe vitin e kaluar, me një total të ardhurash prej 702 milionë dollarë, 47 mln më shumë se sa rivalët e tyre të betuar, Barcelona, ekip që renditet në vendin e dytë.

Të ardhurat e përgjithshme për 20 klubet më të pasura të botës, që duhet thënë se të gjithë janë pjesë e kontinentit të Europës, ka pësuar një rritje prej 8%, apo 7,3 miliardë dollarë.

Kampionët e Gjermanisë, Bayern Munchen, të cilët fituan gjithashtu edhe Champions League, kanë parakaluar Manchester United, teksa anglezët janë ndeshur edhe me një rënie të çmimit të aksioneve të tyre, që kur ish-trajneri legjendar Alex Ferguson u largua nga drejtimi i ekipit, vitin e kaluar.

Skocezi i dha 13 tituj kampion të Premier League dhe 2 Champions gjatë mbretërimit të tij 27-vjeçar, një ecuri e paprecedent në botën e futbollit, ndërkohë që nën drejtimin e trajnerit të ri David Moyes ekipi po vuan edhe në fushën e blertë.

Ata që kanë fituar më shumë vende në renditje janë kampionët e Francës, Paris Saint-Germain, të cilët janë bërë pjesë e 5 klubeve më të pasura, pothuajse duke katërfishuar të ardhurat e tyre, që prej sezonit 2010-11. Ata mbajnë edhe rekordin e të ardhurave më të larta nga një sponsor i vetëm, prej 345 milionë dollarësh, që kur klubi u ble nga Autoriteti Investimeve të Katarit, në 2011.

Në renditje, vijojnë Manchester City, i zotëruar prej sheikut Mansour bin Zayed al Nahyan, i Abu Dhabi-t, ekip ky që ka lënë pas vetes në renditje klube si Arsenali e Chelsea. Ndërkohë, Liverpool ka zbritur nga 10 klubet më të pasura të botës për herë të parë që prej sezonit 1999-2000, edhe pse janë 5 herë kampionë të Europës. Ata nuk janë kualifikuar për në Champions që nga viti 2009.

Dy vendet e fundit të listës “Top 10” mbyllen nga ekipet italiane të Juventus dhe Milan. Më tej, Dortmund, Liverpool, Schalke, Tottenham, Inter, Galatasaray, Hamburg, Fenerbahce, Roma e Atletico Madrid, ekip që mbyll 20-shen e ekipeve më të pasura të botës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA