12 policë të plagosur në Vlorë

23/01/2014 00:00

Një autokolonë policore u përfshi në një aksident, mbrëmjen e së enjtes, teksa po udhëtonte në drejtim të Vlorës.

Ngjarja ndodhi në autostradën Levan – Vlorë, në afërsi të fshatit Novoselë, e si pasojë e përplasjes 12 persona mbetën të plagosur, prej të cilëve dy në gjendje të rëndë shëndetësore.

Autokolona përbëhej nga 4 automjete të mëdha, tip furgonë, të shoqëruar nga një fuoristradë e bardhë e policisë, në fund të saj. Si pasojë e një devijimi të njërit prej furgonëve, u shkaktua përplasja në grup e gjithë autokolonës.

Dëmtime të mëdha pësuan tre prej automjeteve, si dhe fuoristrada.

Drejtori i spitalit të Vlorës, Remzi Haxhiu, tha se 9 prej të plagosurve nuk kanë probleme serioze, përveç disa dëmtimeve të lehta në lëkurë, si pasojë e xhamave të thyer, ndërsa dy prej tyre do të nisen drejt Spitalit Ushtarak, pasi kanë goditje më të rënda në pjesën e kokës dhe ne toraks.

Po punohet për zbardhjen e dinamikës së aksidentit dhe shkakun e devijimit të automjeteve.

Autokolona ishte pjesë e një ekipi të nisur nga kryeqyteti për në paraburgimin e Vlorës, për kryerjen e një inspektimi. Në spitalin rajonal shkuan, përveç drejtuesve të policisë së Vlorës, edhe shefi i paraburgimit dhe nëndrejtori i përgjithshëm i burgjeve.

Top Channel