
Real Madrid hodhi një hap thuajse bindës përpara, drejt gjysmëfinaleve të Kupës së Mbretit, pasi arriti të mposhtte 1-0 Espanyol-in në transfertë, në takimin e parë të përballjes për çerekfinalet.
Karim Benzema shënoi golin e vetëm të takimit, pas krosimit të Alvaro Arbeloa-s në minutën e 25.
Espanyol iu fal portierit Kiko Casilla, i cili nuk lejoi që porta e tij të prekej më shumë se sa kaq, një rezultat që mund të ishte edhe më i thellë për “t’u përmbysur”, të martën e ardhshme në “Santiago Bernabeu”, nëse ekipi i dytë katalanas do të kërkojë të kualifikohet për më tej.
Gjithsesi, ata mund të kishin barazuar, kur sulmuesi kolumbian, Jhon Cordoba, gjuajti drejtpërdrejt në duart e Iker Casillas, kur kishin mbetur edhe 8 minuta nga fundi i ndeshjes.
Trajneri italian i Realit, Carlo Ancelotti, hodhi në fushë ekipin më të fortë të mundshëm, teksa vetëm Xabi Alonso bënte përjashtim nga titullarët, i cili u la në pankinë në këtë takim. Madrilenët e çojnë kështu serinë e ndeshjeve pa pësuar humbje në 18 ndeshje, në të gjitha kompeticionet.
Top Channel