FIFA paralajmëroi Brazilin se qyteti i Kuritibës mund të përjashtohet nga kalendari i Botërorit, nëse punimet në stadium nuk përshpejtohen urgjentisht.
Megjithatë, ndërsa situata paraqitet më kritike në punimet për ngritjen e këtij impianti, edhe pesë stadiume të tjerë mbeten ende në proces pune, ndonëse parashikohej që punimet të ishin mbyllur gjashtë muaj në avancë në të gjithë stadiumet pritëse.
Sekretari i Përgjithshëm i FIFA-s, Jerome Valcke, deklaroi se puna në “Arena de Baixada” është “seriozisht e prapambetur “.
Vendimi nëse Kuritiba do të mbetet ose jo një qytet organizator do të merret në 18 Shkurt.
Katër ndeshje janë programuar të zhvillohen në impiantin 42 mijë vendësh të Kuritibës, takimet Spanjë-Australi, Honduras-Ekuador, Iran-Nigeri dhe Algjeri-Rusi.
“Për të qenë të sinqertë, nuk e pëlqejmë gjendjen aktuale të stadiumit. Nuk bëhet fjalë vetëm për një vonesë, por për një vonesë tepër serioze. Situata aktuale ëshët delikate dhe shumë e ndërlikuar, ndaj nevojitet një angazhim urgjent dhe tepër serioz i palës braziliane për të përfunduar në afat këtë impiant”, deklaroi Valcke.
Stadiumi i Kuritibës, 90% e të cilit ka përfunduar së ndërtuari, po ngrihet nga një konsorcium privat.
Paralajmërimi i FIFA-s vjen ndërsa Komitetit Organizator Brazilian është vendosur në mënyrë të përsëritur përpara kritikave, për neglizhimin e gravitetit të situatës.
Top Channel