Rummenigge: Si ‘blinduam’ Ribery në 2008

21/01/2014 00:00

Karl Heinz Rummenigge ka zbuluar se në vitin 2008 Bayern refuzoi një mega-ofertë të klubit londinez Chelsea për Franck Ribery.

Rummenigge ka treguar për herë të parë se Bayern mund të kishte fituar shumë para, pasi në atë kohë pati një ofertë zyrtare nga Chelsea, që sipas tij ishte një ofertë e çmendur. “Por duke mos e shitur, ne bëmë gjënë e duhur”, ka nënvizuar presidenti i Bayern.

Ai ka treguar gjithashtu se për francezin në atë kohë ishte i interesuar edhe Real Madrid, por vetë Rummenigge u bëri të qartë gjigandëve spanjollë se nuk ishin të vetmit që kërkonin firmën e mesfushorit.

“Ribery është një hero për tifozët dhe është gjë e mirë që ne nuk e dhamë kur Real Madrid dhe disa ekipe të tjera treguan interes për të në vitin 2008”, ka treguar presidenti i Bayern.

“Ne zgjidhëm gjithçka si zotërinj me Madridin, edhe pse më duhet të theksoj se nuk pati një ofertë zyrtare. Ata bënë një hetim, por ne ua mbyllëm derën”, ka sqaruar ai.

“Kjo u tregoi klubeve të tjera se Bayern është më tepër një klub që blen, sesa shet. Kështu funksionojnë gjërat në ekipet e mëdha. Nuk mund të provosh fatin nëse një ekip si Barcelona apo Madrid nuk dëshiron të shesë lojtarët. E njëjta gjë vlen edhe për Bayern në ditët e sotme”, ka nënvizuar presidenti.

Ribery, 30 vjeç, nënshkroi vitin e kaluar një kontratë të re me klubin bavarez deri në verën e vitit 2017 dhe ka deklaruar më shumë se një herë se ka ndërmend ta mbyllë karrierën në Bundesliga.

Gjithësesi, mesfushori këtë fillimviti mbeti i zhgënjyer që nuk fitoi trofeun e Topit të Artë, pavarësisht se sezonin e kaluar fitoi gjithçka. Një ditë më parë ai reagoi duke thënë se trofeu në fjalë ishte kthyer në një çmim politik, duke shtuar se Cristiano Ronaldo nuk e meritonte atë.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta