Ronaldo: Ëndërroj Kupën e Botës

21/01/2014 00:00

Sulmuesi i Real Madrid, Cristiano Ronaldo deklaron se ëndërron të
udhëheqë Portugalinë në finalen e Kampionatit Botëror që zhvillohet këtë
verë.

Lojtari 28-vjeçar luajti një rol kyç në kualifikimin e kombëtares portugeze për në Brazil 2014, në ndeshjen e fituar 4-2 kundër Suedisë në play-off.

Dhe tani, fituesi i Topit të Artë synon t’i japë vendit të tij Kupën e parë të Botës. “Të fitoj Kupën e Botës me Portugalinë është ëndrra ime, pa dashur të ul meritat e kupave të tjera”, ka thënë Ronaldo për gazetarët.

“Ne e dimë që të fitosh Kupën e Botës është një sfidë e vështirë, sikurse është për çdo kombëtare. Por ne do të japim maksimumin për ta arritur”, ka vijuar ai.

Sulmuesi ka dashur gjithashtu të theksojë se nuk ka ndërmend të tërhiqet, duke shtuar se ka në plan të vazhdojë të luajë edhe për shumë vite të tjera.

“Kjo është jeta ime, profesioni im, pasioni im. Dua të vazhdoj të luaj edhe për shumë vite. Jam ende i ri”, është shprehur numri 7.

“Jam shumë i gëzuar dhe dua vetëm të arrij suksese të tjera, si individuale ashtu edhe kolektive deri në fund të karierës”, ka shtuar Cristiano, që ka firmosur me Real deri në 2018.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA