Një sasi prej 1.135 kilogramë lëndë narkotike e llojit kanabis sativa u sekuestrua mesditën e së hënës në Aspropirgo të Athinës.
Sipas policisë greke, tre grekë, një shtetas shqiptar dhe një pakistanez u arrestuan gjatë ngarkimit të lëndës narkotike në një kamion-frigorifer që kishte destinacion vendet europiane.
Policia thotë se sasia e drogës kishte mbërritur nga Shqipëria dhe në vazhdim paketohej në dyshemenë e kamionëve-frigoriferë që dërgoheshin në vendet europiane, ku shitej me shumicë.
Prej këtij trafiku, organizata përfitonte shuma të mëdha parash. Autoritetet greke thonë se organizata e ka kryer këtë trafik shumë herë gjatë viteve të fundit. Shumat e parave dërgoheshin në Shqipëri, ku dhe pastroheshin në biznesin e ndërtimit.
Policia greke ka kërkuar edhe ndihmën e autoriteteve shqiptare për hetimin e personave të implikuar në këtë trafik, por që ende nuk janë arrestuar.
Top Channel