Fadil Vokrri fton yjet e futbollit

20/01/2014 00:00

Shqiptarët vec dy shteteve, tashmë do të kenë edhe dy përfaqësuese futbolli. Vendimi historik i FIFA-s pak ditë më parë për të njohur përfaqësuesen e futbollit të Kosovës, për momentin për ndeshjet miqësore, sigurisht që vec gëzimit sjell dhe pikpyetjet shumë të mëdha për të ardhmen e përfaqësueseve tona të futbollit, asaj kuq e zi dhe të Kosovës.

E mes vorbullës së informacioneve të shumta, shpesh me ndikim e manipulimin e mediave serbe, presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri në një intervistë ekskluzive rrëfen për herë të parë detajet e vendimit dhe si do të ndikojë ky ndryshim në të ardhmen e futbollit tonë.

“Edhe kur do të luajmë në Kosovë, Serbia nuk do të pyetet dhe kjo është përfundimtare, gjithmonë. Ndeshja e parë do të luhet pa simbole dhe mendoj për një periudhë të shkurtër kohore, sepse vetë presidenti Blatter tha se kjo është e pakuptimtë. Të zhvillohet loja, sepse me flamuj do ta mbushin tribunat. Nuk do të jetë problem flamuri”, thotë Fadil Vokrri, president i Federatës së Futbollit të Kosovës.

Në grumbullimet e më shumë se 10 viteve të fundit, thuajse gjithmonë ka patur të përfshirë lojtarë shqiptar të Kosovës, për të mbërritur deri tek grupi i fundit i kombëtares së De Biasit, i cili vetëm në formacion ka rreth 50 % lojtarë shqiptar të Kosovës, të cilët sëbashku me ata të Zvicrës e kudo që janë aktivizuar gjatë këtyre viteve, nga sot mund të marrin ftesën për të veshur fanellën e përfaqësueses së Kosovës.

“Ne u kemi sugjeruar deri më tani që të gjithë futbollistët nga Kosova të zgjedhin Shqipërinë dhe kemi qëndruar gjithnjë pranë atij vendimi. Sigurisht tani gjërat ndryshojnë dhe ne jemi të detyruar që të ndërtojmë përfaqësuesen më të mirë të mundshme. Ndoshta do të bëjmë ndonjë garë të ndershme në raport mes dy federatave dhe nuk do të këmbëngulim me cdo kusht, sepse ky është një vullnet i jashtëzakonshëm i futbollistëve për të kontribuar për futbollin shqiptar dhe kosovar. Në një të ardhme shumë të afërt do të ftojmë të gjithë ata që ne mendojmë se mund të kontribuojnë për skuadrën e Kosovës. Të ndërtojmë përfaqësuesen më të mirë sepse Kosova ka nevojë për konsolidim të shtetit dhe nga ana sportive. Zgjedhjen e tyre? Ajo është e drejtë e atyre lojtarëve”, sqaron zoti Vokrri.
E megjithatë ëndrra e të gjithë shqiptarëve ka qenë dhe vazhdon të mbetet përfaqësimi me një kombëtare. Por për një vendim të tillë anagzhimi kryesorë dhe detyrat më të mëdha duhet t’i marrë përsipër politika, pasi sic thotë vetë presidenti i Federatës së Kosovës Fadil Vokrri, të ishte në dorë të sportit do të bëhej që nesër.

“Nëse dy qeveritë bëjnë bashkimin, futbolli është shumë i gatshëm dhe nuk është asnjë problem. Nëse ju kujtohen deklaratat tona të përbashkëta mes dy federatave, ne kemi shprehur gatishmërinë që për 24 orë të ndërtojmë një kombëtare të vetme”, deklaroi zoti Vokrri.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA