Inter në krizë, hakmerret Gasperini

19/01/2014 00:00

Genoa-Inter përfundon me rezultatin 1-0 dhe për skuadrën e Mazzarri-t makthi vazhdon…

Ndeshja u vendos nga një inkursion individual i Antonelli-t, në minutën e 83-të të një sfide të tejmbushur me raste të pastra për gol.

Për Gasperini-n, trajnerin aktual të Genoa-s, u krye hakmarrja e kërkuar prej kohësh, pas asaj eksperience të shkurtër dhe tepër negative me zikaltrit.

Për Interin, vazhdon konfirmimi i momentit negativ, apo të një krize të mirëfilltë, që ka të bëjë jo vetëm me lojën, por mbi të gjitha me rezultatet.

Kjo është humbja e tretë në 4 ndeshjet e zhvilluara në vitin 2014 (Lazio, Genoa, Udinese), teksa ka barazuar me Chievo-n në takimin tjetër. Një krizë që s’po kalon lehtësisht, pavarësisht se ish-presidenti Moratti vijon të japë përkrahjen e tij në tribunën e “San Siro”-s.

Në ndeshjet e tjera të Serisë A, Napoli nuk ka mundur të shkojë më shumë se barazimi 2-2 në transfertën e Bologna-s, ku vendasit kaluan të parët në avantazh me Bianchi-n, napolitanët reaguan dy herë në pjesën e dytë me Higuain dhe Callejon, por në fund Bianchi firmos “dopietën” e tij personale.

Fiorentina mposht 3-0 Catania-n dhe e bën këtë me një dygolësh të Alessandro Matri-t, në debutimin e tij me fanelën “viola”, pas huazimit nga Milan deri në fund të sezonit.

Tashmë Fiore gjendet 3 pikë nga Napoli, apo vendi i tretë në klasifikim, që do të thotë kualifikim për në fazën e 3 eliminatore të Champions League, vitin e ardhshëm.

Gjithçka u vendos brenda 45 minutave të para, ndërsa pjesa e dytë ishte thjesht sa për administrim rezultati nga ekipi i Montella-s.

Në ndeshjen e drekës, Lazio përmbysi rezultatin për të fituar 3-2 në fushën e Udinese-s. Friulanët kaluan të parët në avantazh me Di Natale (penallti) dhe më pas dyfishuan me Badu, pas një gjuajtjeje spektakolare, por kryeqytetasit nuk u dorëzuan dhe, pas shkurtimit nga 11-metërshi me Candreva-n, erdhën edhe dy gola të shpejtë në fund, Lazzari (autogol) dhe Hernanes.

Atalanta-Cagliari përfundoi 1-0, Chievo-Parma 1-2, ndërsa Sassuolo-Torino 0-2. Në mbrëmje luhet takimi mes Milanit dhe Veronës, ndeshja e parë e Seedorf si trajner i kuqezinjve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA