Artan Mullaj – Që një deputeti i Parlamentit shqiptar qarkullon me një
makinë 90 mijë euro dhe targa false, sikundër u tha si lajm para disa
kohësh, këtu nuk ka asgjë të veçantë.
Shumica e deputetëve shqiptarë, me një apo disa mandate, në pozitë ose opozitë, herët a vonë, qarkullojnë me makina të tilla. Sipas një neni të pashkruar, politika në Shqipëri është fytyra tjetër e fatit. Përshtypja këmbëngulëse se, të jesh politikan, do të thotë që mirëqenia njehsohet me luksin, sot është një rutinë të menduari, e shndërruar në zakon. Rutinë është edhe tepria e pashpjegueshme e babëzisë për të pasur, që kanë shumica e politikanëve. Pra mirë a keq, politika në Shqipëri të afron magji edhe ndotje njëherësh. Merr çfarë nuk të takon edhe pse ndodh të japësh asgjënë. Përshtypja tjetër se babëzia, rutina dhe magjia, të tria njëherësh, shtyjnë njerëzit e thjeshtë në një kurth moskuptimi, përbën në parim, një dukuri që vështirë të shpjegohet.
Një klizmë tjetër. Para disa kohësh, një vajzë 20-vjeçare u mandatua deputete e Kuvendit Popullor. Njerëzit shpirtthjeshtë nuk mund të kuptojnë se për çfarë arsye, logjikë, shpjegim a justifikim, një adoleshente arrin të karikohet me një marrëzi të tillë: i besohet pushtet parlamentar një plazme njerëzore, ende të pazhvilluar shpirtërisht, e ca më pak intelektualisht!! . Është si t’i ngarkosh shpinës një fëmije 5 vjeç një thes me çimento. Të shkulësh një krijesë të pafajshme nga adoleshenca dhe dashuritë për ta ngarkuar të bëjë dhe votojë ligje, është diçka që të kujton marrëzinë. Rëndom marrëzia në Shqipëri është godinë shumëkatëshe, si kulla e re tek ushtari i panjohur. E sheh, e ndesh gjithandej. Thuajse gjithmonë! Dhe shumë njerëz nuk arrijnë të kuptojnë shumëçka: nuk kuptojnë përse duhen paguar vampirët buzëgjakur që quhen gjykatës, (që sillen korridoreve të fatit njerëzor, si fantazma të veshura me raso), edhe kur kanë, edhe kur nuk kanë të drejtë; njerëzit nuk e kuptojnë se përse duhet të paguajnë mjekët nën dorë, kur paguajnë sigurimet e detyruara shoqërore çdo muaj nga rroga e tyre; njerëzit nuk e kuptojnë se përse shoqëria, kjo shoqëri pa sens, pa talent, ndjeshmëri, instinkt dhe aftësi, nuk shqetësohet e kujdeset për fëmijët e saj, që këta të mos dridhen së ftohti në shkolla, që këta fëmijë të kenë mësues të cilët dinë të edukojnë dhe të kenë, logjikisht, tekste të mira dhe cilësorë etj., etj.
Dhe natyrshëm, lehtësia e të kuptuarit të gjërave është në nivelin e sarkazmës, ndoshta të pamundësisë, kur vjen puna te shpjegimi i bërë apo i pabërë i arsyeve se përse Europa bëri nazet e njerkës edhe këtë herë, duke na përplasur derën fytyrës.
***
Vlera e makinës me të cilën qarkullon deputeti nuk vlen aq sa vlen lajmi dhe fakti se ai përfaqëson një politikan tranzicioni, që shkel ligjet me shkujdesjen që shkel rërën në bregdet gjatë pushimeve. Ky deputet qarkullon me një makinë me targa false. Ashtu si mosha e deputetes së re, nuk është aq problem sa problem është mënyra private e përzgjedhjes së njerëzve në politikë prej liderëve. Një ligjbërës që shkel dhe shpërdoron vetë ai ligjet, s’është veçse një etalon i atij fudullëkut primitiv që nga viti në vit, dhe lideri në lider, po turpëron pakthyeshmërisht racën tonë. Dhe hambar fudullëku dhe mediokriteti njëherësh, nëse doni, është gjithashtu shpërfillja vulgare që liderët sulltanarë të tranzicionit, i kanë bërë për vite me radhë kulturës dhe historisë njerëzore, që historikisht dhe botërisht vlerëson inteligjencën në bazë të njohurive, aftësive, integritetit, moshës dhe eksperiencës.
***
Disa javë mbasi Europa ngurroi t’i japë statusin e kandidatit Shqipërisë, janë shuar emocionet, por ka mbetur shija e keqe. Përfundimi, të cilin të gjithë e donim patjetër, nuk ishte ai që duhej të ishte në vijim të logjikës se jemi një komb me qasje të mira, që kemi mundësi të japim më shumë dhe më mirë nga sa deri tani. Por Europa zgjodhi të vlerësojë detajet duke eksperimentuar durimin tonë, pra edhe reagimin tonë, çka gjithashtu përbën një detaj. Detaje për fat të keq ka plot. Detaj është edhe abuzimi me ligjet e shtetit i një deputeti, dhe mosreagimi ndaj tij? Ndoshta, disa prej lëkurëbardhëve anglishtfolës kishin një tepri kureshtjeje për të kuptuar më mirë edhe legjendën e fudullëkut shqiptar, të cilin e njihnin megjithatë mjaft mirë sidomos nga qeverisja e mëparshme, apo ndoshta, ata donin të shikonin se si, dhe, a do përmirësohet perceptimi ynë për shtetin ligjor, përkthyer dhe përthyer si respektim i ligjit, nga të gjithë, edhe nga fodullët me makina të shtrenjta dhe llogari të frikshme bankare, ku i kanë dhe si kanë. Detaj, mos ndoshta është edhe marrëzia e përzgjedhjes së një adoleshenteje në vend të një akademikeje në një karrige të rëndë të Kuvendit?
Për të kuptuar së paku njerkën Europë, përveçse të analizojmë politikën, korrupsionin, drejtësinë, marrëzinë, paqartësinë, ndoshta duhet të përfytyrojmë së largu edhe njeriun shqiptar, si vepër, si monument, si pasojë të kësaj politike, të këtij sistemi: Një gjallesë e varfër dhe e vuajtur në mes të Europës! E hutuar mes tranzicionit të gjatë, prej të cilit përpëlitet të dalë, sot shqyhet kryqesh. Ndërsa është me njërën këmbë ende në primitivitet, dhe me tjetrën në modernitet, dhimbja është përfundimi. Kështu e trashëgoi njeriun shqiptar tranzicioni, e shkuara. Është ende i brishtë në mënyrën si e punon tokën, por edhe vulgar në mënyrën si kujdeset për të. Lëron, mbjell arat dhe prodhon ende me krahë apo mushka dhe gomarë, nga njëra anë, dhe shkatërron pyjet, ndot natyrën, ajrin, jetën urbane me plehra, tymnaja dhe idiotësi puritane, nga ana tjetër. Mjerim i shenjtë! Rebelim djallëzor. Ky njeri nuk është qeverisur deri tani, është vetadministruar. Nuk qeverisej, sundohej. Ka qenë shënjestra e abuzimit, por edhe mjeti i përfitimit. Të fuqishmit, që nuk heqin dorë nga keqpërdorimi i pushtetit, janë pasuruar në shpinën e tyre. Këta varfërohen në mendjen e tyre. Ky njeri është vjedhur për ditë, 20 vjet rresht. Arsimohet, por nuk shkollohet. Dijet në shkolla, shpesh nuk i shoqëron civilizimi, filozofia, pozitiviteti. Tekstet shkollore nuk i shërbejnë përfitimit të dijeve, por përfitimeve korruptive. Vetë shteti kujdeset për to. Si? Duke bërë reforma dhe krijuar sisteme, si bie fjala, përbindëshi korruptiv me emrin ALTERTEKST. Njeriu i tranzicionit, primitiv e modern njëherësh, nuk është ende gati për jetë urbane. Tirana është pushtuar nga hordhitë emigrante të malësive, që vërshuan nga Jugu dhe Veriu, si vërshuan hordhitë turke qyshkur në Ballkan, duke osmanizuar territorin, gjuhën, kulturën. Injoranca nuk është aq e tretshme, sa kripa, prandaj nuk absorbohet kollaj nga armata e civilizuar qytetare. E po kështu edhe qytetet e tjera të mëdha. Shkolla, institucioni moral i civilizimit, në të cilën njeriu ynë arsimohet, ashtu si toka bujqësore, është në krizë imuniteti dhe identiteti. Më shumë merr se jep. Mjekësia, së paku deri tani, shfaqet vetë si një sëmundje. E kështu me radhë. E kështu me radhë. Me pak fjalë, bujqësi e rrënuar. Arsim në ngujim. Mjekësi paciente, azmatike. Administratë e trashëguar private. Drejtësi mizore, gjykata të korruptuara. Vend ku vrasësit janë më të shumtë se të çmendurit, dhe kazinotë më të shpeshta se marketet.
Kjo është Shqipëria që trashëguam nga e shkuara. Kjo është Shqipëria që synon të hyjë në Europën që shkëlqen dhe vuan njëherësh nga përsosmëria dhe infiniteti.
Këta jemi ne. Duhet të mbajmë frymën dhe të shohim veten në pasqyrë. Të shohim dhe të njohim vetveten, përtej krenarisë kanunore, që i ka lënë dhjetëra vjet mbrapa popujt ballkanas. Më shumë sesa është njerkë me ne Europa, jemi ne fëmijë të prapë dhe rebelë me të.. Ta synojmë atë në këtë farë feje ku jemi, është si të synosh të shkosh në ballo i parruar dhe me këpucët me baltë. Punë e kotë.
DUHET TË PËRMIRËSOHEMI!
Që kemi lënë të shkuarën pas, kjo është e dukshme. Që kemi hyrë në një epokë të re, që kthyem rrugë, ndaluam ngjitjen dhe po zbresim në luginë, kjo është e qartë. Po ecim drejt një “përroi” të normalitetit, pas të cilit, të larë, të qetë, të denjë, të edukuar si emigrantët tanë, edhe pse ende larg, do mund të shohim dritën, vlerat Europën. E mundimshme për ne, e qartë për të gjithë.
Gazeta “Shqip”
Top Channel