Formula 1, dorëhiqet Bernie Ecclestone

16/01/2014 15:15

Bernie Ecclestone, pronari i Formulës 1 vendosi që të japë dorëheqjen nga roli i tij në bordin drejtues të formatit më të famshëm të garave automobilistike në botë.

Ky vendim i 83-vjeçarit vjen vetëm disa orë pasi drejtësia gjermane informoi për nisjen e një procesi penal kundër tij për korrupsion.

Pavarësisht dorëheqjes, Ecclestone do të vazhdojë të kujdeset vetë për interesat e tij në Formulën 1, u përcaktua në një deklaratë.

I moshuari do të gjykohet mbi bazën e dyshimeve që ai korruptoi një bankier gjerman, i cili ndodhet në burg, i dënuar më parë për korrupsion.

Ecclestone pranon se i ka paguar 45 milionë Gerhard Gribkowskyt, por mohon që kjo pagesë të ketë qenë një formë rryshfeti.

Sipas akuzës, paratë e paguara prej Ecclestone duhet të “blinin” mbështetjen e bankierit me influencë, për të bërë të mundur që të drejtat televizive të Formulës 1 t’i shkonin një grupi të parapëlqyer prej bosit të F1.

Top Channel