Situata e Michael Schumacher

15/01/2014 00:00

Michael Schumacher vazhdon të qëndrojë në koma dhe u bënë 18 ditë tashmë në këtë situatë, por në mediat gjermane qarkullon lajmi se ish-piloti i Ferrarit do të dalë nga gjendja e komës së induktuar në ditët e ardhshme.

Ashtu siç ka kërkuar familja, mbi gjendjen shëndetësore të Michael Schumacher po respektohet privatësia dhe në pritje të komunikatave zyrtare, ‘Bild’ ka pyetur në lidhje me këtë çështje profesor Heinz Peter Mocke (i klinikës së Hamburgut) i cili shpjegoi: “Pasi dilet nga koma e induktuar, në fillim rekuperohen funksionet jetësore siç është frymëmarrja.”

Mundësia që Michael Schumacher të dalë nga koma tregon se gjendja e tij shëndetësore është drejt përmirësimit.

Schumacher u aksidentua rëndë më 29 dhjetor gjatë kohës që po bënte ski në Meribel të Francës. Që prej asaj date, ai ndodhet i shtruar në gjendje kritike, por të qëndrueshme, në spitalin e Grenoblit.

Top Channel