Milan zgjedh Seedorf për 2,5 vite

14/01/2014 00:00

Aventura e Massimiliano Allegri-t te Milan përfundoi në mesditën e së hënës, pas humbjes shokuese 4-3 ndaj Sassuolo-s në fundjavë, në takimin e fundit të fazës së parë të Serie A.

Trajneri, së bashku me stafin e tij teknik, u shkarkuan nga klubi kuqezi, i cili njoftoi për verdiktin nëpërmjet një komunikate zyrtare në uebsajtin e klubit, ku thuhej gjithashtu se skuadra do t’i besohej përkohësisht zëvendës/trajnerit Mauro Tassotti.

Në fakt, Tassotti, ndihmësi historik i Milanit, do të drejtojë ekipin vetëm në ndeshjen e mesjavës kundër Spezia-s për Kupën e Italisë, pasi është bërë tashmë zyrtare edhe alternativa për stolin kuqezi.

Clarence Seedorf do të rikthehet në Milano, duke nisur nga e mërkura, dhe për holandezin është gati një kontratë prej 2 vitesh e gjysmë, për të marrë drejtimin e Milan.

Janë mësuar gjithashtu edhe disa lëvizje në stafin teknik të së ardhmes: Tassotti, i cili fillimisht u deklarua se do të qëndronte me klubin kuqezi deri në fund të këtij sezoni, besohet se do të vazhdojë të mbetet pjesë e skuadrës nga Milano, pasi ka një kontratë jo të lidhur me fatet e trajnerëve të tjerë.

Ndërkohë, ish-mesfushori holandez i kuqezinjve, i cili aktualisht militon në klubin brazilian të Botafogo-s, duket se po mbyll gjithçka me ta, por edhe sa i përket karrierës si futbollist, për të nisur një jetë të re, tashmë si teknik.

Raportohet se në stafin e tij do të jenë edhe Hernan Crespo dhe Jaap Stam, dy ish-futbollistë të Milanit, njëri për të kontribuuar në trajnimin e sulmuesve, kurse tjetri me repartin e mbrojtjes. Valerio Fiori, deri para pak kohësh portier i tretë i Milanit, do të stërvisë portierët.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA