Itali, sekuestrohen 800 kg kanabis

14/01/2014 00:00

U desh bashkëpunimi i specialistëve me forcat e rendit për të arritur në zbulimin e një sasie të madhe droge të sjellë nga Shqipëria, këtë herë e fshehur në një bllok mermeri prej 20 tonësh.

I ngarkuar në një kamion që nga Shqipëria pati udhëtuar në Brindisi me një traget linje, blloku i mermerit, ishte i gërmuar brenda për të krijuar hapësirën e nevojshme për futjen e marijuhanës.

Gjithsej 800 kilogramë, të konfeksionuar më së miri dhe e fshehur edhe nga një shtresë betoni dhe që në treg arrinin një vlerë prej mbi një milionë eurosh.Janë arrestuar pesë shtetas shqiptarë. Përveç shoferit të automjetit, janë kapur dy persona që merreshin me organizimin e udhëtimit të drogës nga Shqipëria si dhe dy të tjerë të angazhuar me shitjen e saj në territorin e kryeqytetit dhe në zonat përreth.

Në fakt sipas prokurorisë italiane organizatat shqiptare veprojnë prej vitesh në qytezat rreth Romës ku kanë krijuar degëzime dhe një rrjet të konsoliduar trafikimi të lëndëve narkotike.

Top Channel