Më parë se të nxisin protestat, duhet të japin llogari!

12/01/2014 00:00

Zamira Çavo – Viti ka filluar me shumë probleme.

Të gjithë ne e dinim që do të ishte i tillë, por besoj se asnjë shqiptar nuk e ka çuar ndërmend se pikërisht në këtë fillimviti do të ridëgjoheshin zërat e “rrumpallës shqiptare” për protesta! Është sa qesharake aq dhe dëshpëruese kjo thirrje. Nuk besoja që as z. Berisha ta përkrahte një mendim të tillë dhe pse do të dëshironte shumë ta shikonte vendin në kaos. Por jam e bindur se dhe Ai e di mirë që kjo thirrje e bën jo vetëm qesharake opozitën, por e bën dhe më të shpejtë gjykimin e atyre që nxisin atë. Ka shumë arsye për ta thënë këtë. Le të gjykojmë së bashku vetëm disa prej tyre.

Së pari: Basha dhe Berisha, ose dyshja 2B, duhet të jenë të parët që të gjykohen publikisht për dëmin e madh ekonomik që i kanë shkaktuar vendit, në lidhje me “Rrugën e Kombit”. Dhe kjo nuk është hamendje e as llafe kafenesh. Janë konkluzione të nxjerra nga një institucion që quhet Kontrolli i Lartë i Shtetit. Pra, kjo dyshe politike, që tashti kërkon të nxisë protestat, duhet më së pari të rikthejë në buxhetin e shtetit ato miliona që ka “shpërdoruar”, e pasi ta kenë bërë këtë, të gjykohen publikisht për dëmin e shkaktuar.

Së dyti: Me aq sa janë deklaruar, nuk shihet asnjë sektor që të ketë punuar në 8 vitet e shkuara profesionalisht e ndershmërisht. Nuk ka sektorë pa borxhe skandaloze. Nuk ka drejtim të ekonomisë që të ketë ecur pa lënë pas një gropë të madhe humbjesh. Asnjë ministri nuk e ka “dorëzuar” punën pa skandale, pa humbje milionash e pa shpërdorime të jashtëzakonshme. Sot ne vuajmë pikërisht këto pasoja. Dhe pa pikën e moralit, ata që e shkaktuan këtë gjendje, në vend që të japin llogari, bëjnë thirrje për protesta. Protestë ndaj kujt? Dikush mund të thotë se qeveria ka tre muaj që e ka marrë pushtetin. Por çfarë mund të bëhet në tre muaj me këtë humnerë gjigante që ka lënë pas “rrumpalla shqiptare”?

Së treti: Në tranzicionin shqiptar, raporti i individit me shtetin ka ardhur duke u përkeqësuar, për arsye se shteti është barazuar me pushtetin. Berisha ka përgjegjësinë kryesore në rrënimin e imazhit të shtetit. Në 8 vite askush nuk ka pyetur për shtetin, por për Berishën. Dhe për këtë ai duhet trajtuar si një autoritar i pashembullt dhe një njeri që e çoi Shqipërinë drejt shkatërrimit të vetvetes. Regjisori dhe autori i ndarjes krahinore, Berisha, duhet të japë llogari për shkatërrimin e shtetit, duke filluar që nga ‘96-a me piramidat e deri kur u detyrua të largohej me votë. Metoda me të cilën qeverisi Berisha është korrupsion + krahinizëm. Kjo e bën edhe më të rëndë krimin e tij ndaj popullit.

Nëse kërkojmë të ndërtojmë shtet, dhe nëse duam të trajtohemi si të barabartë me shtetet e tjera të Europës, na duhet të sillemi si qytetarë dhe jo si kanunorë apo si klanorë e si besnikë të individëve. Por që ta bëjmë këtë, duhet më parë të dalë para drejtësisë Ai që e shkatërroi këtë shtet dhe besimin e qytetarëve ndaj shtetit!

Është shumë e vështirë të mësohemi me rregulla e me ligje. Kjo është e vërtetë. Ndaj dhe vështirësitë e këtij fillimviti duken edhe më të mëdha. Por shtetin duhet ta ndërtojmë dhe nëse humbet pushtetin! Nuk kemi më shans tjetër për ta bërë këtë. Dhe që të ndërtojmë shtetin duhet të heqim “kancerin” që e shkatërroi atë. Dhe kanceri, thotë një kolegu im, nuk shërohet me antibiotikë, por me operacion të thellë e të gjerë. Ndaj përgjegjësit e kësaj situate duhen nxjerrë një orë e më parë para drejtësisë, ndryshe besimi te shteti zor se rikthehet me masa të “buta”.
 
Së fundmi, po shtroj pyetjen: A kanë arsye njerëzit të protestojnë sot? Sigurisht që kanë. Kanë, sepse administrata publike ende nuk po funksionon si duhet, pasi ende nuk ka përfunduar reforma dhe ata që presin të largohen jo vetëm nuk punojnë, por dhe “prishin punë”. Kanë arsye të protestojnë, sepse pagat e muajit dhjetor, për një pjesë të mirë të administratës publike, nuk janë marrë ende. Kanë arsye të protestojnë, se shërbimi shëndetësor është shumë i keq. Kanë arsye të protestojnë për çdo gjë që e shikojnë se nuk shkon mirë, por nuk kanë arsye të protestojnë se po vidhen, se po shkatërrohet shteti. Nëse do të kishin arsye për këto të fundit, unë do të isha në radhën e parë.

Nëse ndonjë lexues do të thoshte: Po në kohën e Berishës pagat u shtuan, pensionet u rritën dhe shpërblimi në fund të vitit u dha, ndërsa me Ramën asnjë nga këto nuk po bëhet. Ju them me bindje: mendoni vetëm një çast me mendjen tuaj dhe do ta kuptoni se ajo politikë populiste e Berishës na shkatërroi dhe na çoi buzë humnere. Thërrmijat që ndante Berisha për popullin ishin vetëm “hi syve” për të mos parë miliardat e shpërdoruara nga qeveria e tij për përfitime personale!

Po i përgjigjem edhe pyetjes që e kam dëgjuar shpesh këto kohët e fundit: Kur e dinte se gjendja ishte kështu, pse e mori Rama pushtetin? E kam thënë dhe herë të tjera: Do ta quaja të përfunduar misionin e Ramës vetëm që nxori jashtë pushtetit Berishën dhe ndali shkatërrimin përfundimtar të vendit! Nëse Berisha do të vazhdonte të qeveriste, qoftë edhe disa muaj më shumë, jam e bindur që situata në Shqipëri do të ngjasonte jo me Greqinë, por me Sirinë! Unë nuk e di si do të qeverisë Rama, por një gjë e di mirë nga përvoja botërore: nëse ata që kanë kryer krime ndaj popullit nuk gjykohen asnjëherë, shteti nuk do të mund të ndërtohet me besimin e njerëzve në të. Sigurisht që është e vështirë, por jo e pamundur. Çdo vonesë në gjykimin e shkaktarëve të kësaj gjendjeje është në disfavor të së ardhmes së vendit. Nëse duam të bëjmë shtet, sigurisht duhet të sakrifikojmë dhe pushtet! Unë do të mbështesja çdo protestë qytetare që kërkon ringritjen e shtetit dhe gjykimin e shkaktarëve të rrënimit të tij!

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA