Jetimët nën kujdesin e gjyshërve

09/01/2014 00:00

Dy fëmijët e mbetur jetim nga vrasja e ndodhur në fshatin Gjonomadh, Shërbimi Social ia ka kaluar nën kujdes gjyshërve.

Në ndihmë të tyre do jepet edhe një pension. Ngjarja e tmerrshme që i mori jetën katër personave kishte si pikënisje një lidhje dashurie.

Lidhja prej më tepër së 4 vitesh e Bashkim Latollarit dhe Daniela Meçollarit nuk ka qenë e panjohur. Për këtë lidhje kanë patur dijeni edhe të afërmit e viktimës, Danielës, por sipas tyre shkak i kësaj tradhëtie bashkëshortore ka qenë varfëria dhe problemet e saj me bashkëshortin.

“Ditën e fundit kishte një mërzitje. Më tha që do të më vrasë ai. Ai e kishte rrahur në rrugë. Ajo (Daniela) më tha që të lajmëronte policinë, por unë i thashë që të mos i çonte gjërat deri aty. Fola me atë, ai më tha që do t’i vrasë nëse ajo nuk shkonte me të. Ajo i thoshte nuk dua, kam fëmijë, kam burrë dhe nuk martohem për së dyti se ishte njëherë e fejuar. E pyeta i thashë me kë e ke djalin, djalin më tha e kam me Monin (Belimonin), le të thonë ç’të duan, le ta marrin dhe t’i bëjnë analizat”, rrëfen e motra e Danielës, Miranda Metja.

Nga ana tjetër familjarët e Belimon Meçollarit, por edhe çiftit Metollari kanë kërkuar që drejtësia të japë dënimin maksimal për autorin dhe nuk kanë nguruar të paralajmërojnë edhe me vetëgjyqësi.

“Nëse merr shteti masat, ne nuk kemi punë me autorin që ka bërë vrasjen. Nëse nuk merr masa shteti, ne nuk e lëmë”, thotë Lulëzim Hoxha, kunati i Belimonit.

Përballë dhimbjes së familjarëve vjen drama e nënës së autorit e cila tashmë ka tre djemtë në burg. E moshuara rrëfen frikën për nipin e saj, ndërsa kërkon mëshirë për djalin që vrau 4 persona.

“Me se të rroj unë? Kërkoj mëshirë nga qeveria, nga gjykatësi”, apelon Fidarie Latollari.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta