Korçë, përcillen 4 viktimat

08/01/2014 00:00

Një ceremoni e heshtur mortore, njerëz që hyjnë e dalin nga banesa e familjes Meçollari, ndërkohë që banesa e të dyshuarit si autor i krimit të katërfishtë, Bashkim Latollarit, ruhet nga policia.

Në mesditë, në fshatin Gjonomadh të Korçës, dy arkëmortet me trupat e pajetë të Beliman dhe Daniela Meçollarit janë përcjellë për në banesën e fundit, ndërkohë që askush nga të afërmit apo banorët e fshatit nuk ka guxuar të flasë për shkakun e vërtetë të kësaj masakre.

Ndërkohë, rreth orës 15:00 trupat e pajetë të Rexhep dhe Valentina Metellarit, të cilët u vranë në kasollen ku qëndronin, u varrosën në qytetin e Korçës, pasi u tërhoqën nga vajza e tyre e cila është e martuar në qytet.

Ata kishin dalë nga burgu 2 vjet më parë, pasi vuanin dënimin për një vrasje në vitin 1992. Një histori dashurie e cila kishte brenda saj edhe tradhëtinë bashkëshortore shkaktoi një tragjedi të rëndë.

Në fshatin Gjonomadh, Bashkim Latollari u ka marrë jetën 4 personave me gjakftohtësi, ndërsa duket se arsyeja e vetme ka qenë një dashuri e verbër me një grua të martuar, e cila ka vendosur t’i japë fund lidhjes 4-vjeçare me autorin.

Ngjarja tronditëse duket se në thelb të saj ka pasur një konflikt mes çiftit të të dashuruarve, pasi sipas të dhënave, autori dyshonte se ishte babai i vërtetë i fëmijës së vogël të Danielës.

Mësohet se Bashkim Latollari, i gatshëm edhe për martesë, i kishte kërkuar të dinte të vërtetën të dashurës së tij, por ajo ia kishte mohuar dhe kishte ndërprerë edhe marrëdhënien me të.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA