Januzaj, një nga më të mirët e M. Utd

08/01/2014 00:00

“Shkëlqimi në errësirën e Old Trafford.” Ky është përshkrimi që ka bërë për Adnan Januzaj tabloidi ‘Daily Mail’ në një analizë që i ka bërë secilit lojtar që vesh fanelën e Manchester United këtë sezon.

Duke u nisur nga momenti i keq që po përjeton skuadra në kampionatin anglez (vendi i shtatë, 11 pikë larg kryesuesve të Arsenalit), gazetari sportiv Adam Shergold ka analizuar një për një të gjithë lojtarët e “Djajve të Kuq” dhe vetëm 18-vjeçari shqiptar me origjinë kosovare së bashku me Wayne Rooney dhe David de Gea janë vlerësuar me notën 8 e sipër.

“Januzaj ka realizuar deri tani një sezon fantastik dhe duket se do të jetë një lojtar i rregullt në formacionin bazë të United në vitet në vazhdim. Trajneri Moyes e ka aktivizuar shpesh të riun pasi ai ndikon shumë në lojën e skuadrës me shpejtësinë, krosimet dhe golat e tij. Ka qenë i shkëlqyer dhe nga të paktët lojtarë të Manchester United që meriton duartrokitje këtë sezon”, lexohet në analizën për Januzajn.

18-vjeçari është vlerësuar me notën 8, duke u kaluar vetëm nga një lojtar i jashtëzakonshëm si Wayne Rooney, prej vitesh titullar i United dhe kombëtares angleze, i cili ka marrë notën 9.

Kombëtaret që janë vënë në kërkim të talentit shqiptar nga Kosova janë të shumta: Shqipëria, Belgjika, Anglia e madje edhe Serbia e Turqia, ndërsa për Kosovën shpresat janë të vakta për faktin se FFK-ja ende nuk njihet nga FIFA. Vetë Januzaj ende nuk ka marrë asnjë vendim.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta