Botërori 2022 do luhet në dimër

08/01/2014 00:00

Me shumë mundësi, në mbledhjen e marsit, FIFA do të vendosë që botërori 2022, që do të zhvillohet në Katar, të mos luhet në muajt e verës për shkak të temperaturave të larta, por në muajt e dimrit.

Lajmi është njoftuar nga Sekretari i Përgjithshëm i FIFA-s, Jerome Valcke. Ai tha para mediave se mbetet për t’u përcaktuar periudha 1-mujore mes 15 nëntorit dhe 15 janarit, ku temperaturat mesatare në Katar shkojnë në 25 gradë celcius, ndryshe nga stina e verës ku termometri shënon deri në 50 gradë.

Megjithatë, vetë FIFA ka përgënjeshtruar deklaratën e Sekretarit të saj të Përgjithshëm duke deklaruar se “asgjë nuk është vendosur ende”.

Ideja për zhvillimin e botërorit jo në stinën e verës u hodh menjëherë pas caktimit të Katarit si vend organizator i kampionatit të 2022. Shumë federata dhe futbollistë u ankuan për kushtet klimaterike dhe temperaturat ekstreme të larta.

Vetë vendi organizator propozoi ndërtimin e stadiumeve të mbyllura me ajër të kondicinuar, por më pas kjo ide u braktis dhe nisi qarkullimi i propozimit për organizimin e kompeticionit më të rëndësishëm futbollistik në dimër.

Kjo do të jetë hera e parë në historinë e futbollit modern që një kampionat botëror nuk luhet në muajt tradicionalë, qershor-korrik.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta