Durrës, grabiten dy kambistë

07/01/2014 00:00

Krimi i rrugës ka goditur sërish qytetin bregdetar të Durrësit, ku dy
kambistë janë grabitur mëngjesin e së martës në vendin e tyre të punës.

Ngjarja ndodhi në tregun e lirë të këmbimit valutor, pranë ish-Farmacisë nr1. në një nga zonat më me lëvizje të qytetit bregdetar. Dy persona ende të paidentifikuar dhe të maskuar u kanë vjedhur një shumë parash kambistëve Rajmond Çollaku dhe Arben Çuni, të cilët i kanë goditur dhe me shkop bejsbolli.

Dy kambistët e dëmtuar, që punonin me llogari të përbashkët, i janë afruar mjetit që ka ndaluar pranë tyre për të ofruar si zakonisht shërbimin e shkëmbimit valutor, po personat brenda kanë zbritur nga mjeti dhe nën kërcënimin për jetën dhe goditjen me shkop bejsbolli u kanë marrë paratë dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes.

I dëmtuar financiarisht deklarohet të jetë dhe një kambist i tretë, ndërkohë që automjeti i tipit “Land Rover” me targa angleze, xhama të zinj dhe një fenelinë emergjence mbi të është larguar nga vendi i ngjarjes drejt superstradës Durrës-Tiranë. Në afërsi të Sukthit, kur ka parë një automjet policie, ky mjet është përplasur me një tjetër automjet, por ia ka dalë të largohet, ndërsa ndjekja dhe kërkimet janë përqëndruar jashtë qytetit të Durrësit.

Postoblloqe janë ngritur në të tjera rrugë që lidhin Durrësin me Tiranën dhe Krujën, në bashkëpunim dhe me komisariatet përkatëse. Ndërkohë nuk bëhet ende e ditur shuma e grabitur.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta