Schumacher, hetuesit ekzaminojnë kamerën

04/01/2014 00:00

Hetuesit në Francë kanë marrë për ekzaminim një kamera, e cila ishte fiksuar në helmetën e ish-pilotit të Formula 1, Michael Schumacher, gjatë aksidentit me ski të javës së kaluar, që e ka lënë gjermanin në një gjendje “të qëndrueshme, por kritike” për jetën.

Autoritetet kanë bërë të ditur se shpresojnë që pajisja elektronike të zbulojë të dhëna mbi rrethanat e aksidentit me ski në alpet franceze, tha një burim për agjencinë e lajmeve AFP.

Policia ka marrë në pyetje edhe djalin adoleshent të Schumacher, i cili ishte edhe dëshmitar i përplasjes, si pasojë e të cilës “Schumi” gjendet i shtruar prej 5 ditësh në spitalin e Grenoble-s në Francë, në gjendje kome të induktuar.

Më herët gjatë së premtes, fansa të shumtë u mblodhën jashtë spitalit francez, ku po kurohet legjenda e Formula 1, për të festuar në heshtje 45-vjetorin e lindjes së tij. Tifozë të Ferrari-t por edhe drejtues të skuderisë mbajtën 1 minutë heshtje gjatë pasdites.

Familja e Schumacher reagoi përmes një deklarate, ku thuhej se ata kishin shpërthyer në lot dhe ishin krejtësisht të tronditur nga simpatia e jashtëzakonshme e treguar për gjermanin nga fansat.

Kampioni i 7-fishtë i botës, i cili u tërhoq nga garat me makina në vitin 2012, vijon të jetë në koma të induktuar, pas dëmtimeve në kokë të marra si pasojë e rrëzimit në resortin Meribel, të dielën e kaluar. Ai i është nënshtruar 2 operacioneve deri më tani, për të hequr gjakun dhe presionin nga truri i tij.

Top Channel