Kapet një i dyshuar si grabitës i argjendarisë

03/01/2014 00:00

Policia e Tiranës njoftoi arrestimin e një të riu i cili dyshohet si njëri prej katër autorëve të grabitjes spektakolare të argjendarisë në një qendër tregtare në periferi të Tiranës.

I riu, i identifikuar si 18-vjeçari me inicialet K.K është arrestuar nga një patrullë policie për mungesë të lejes së qarkullimit dhe shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Por gjatë kontrollit të automjetit që drejtohej nga 18-vjeçari policia ka gjetur një maskë “babagjyshi” të ngjashme me ato të përdorura gjatë grabitjes.

Policia prangosi të riun, ndaj të cilit vec shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor mund të rëndojnë edhe akuzat e grabitjes.

Grupi hetimor po punon në këtë pistë për zbardhjen e një prej grabitjeve më spektakolare të ndodhura ndonjëherë në vendin tonë.

Më 24 dhjetor një grup prej 4 personash të maskuar me veshjen karakteristike festive dhe të armatosur, hynë në qendrën tregtare në lindje të Tiranës dhe nën kërcënimin e armëve grabitën një argjendari dhe mundën të largohen prej andej brenda pak minutash.

Pavarësisht mobilizimit të uniformave blu ende nuk është rënën në gjurmë të asnjërit prej grabitësve.

Top Channel