Arrestohen 3 komisionerët e Ruzhdies

03/01/2014 00:00

Tre persona, të njohur si ish-komisionerë në zgjedhjet e vitit 2009 në qendrën 3052 të komunës Ruzhdie u arrestuan nga policia si persona të shpallur në kërkim. Ata janë Robert Myftari, Veledin Myftari dhe Vladimir Karaj, nën akuzë për shpërdorim detyre.

Për të tre ish-komisionerët më herët gjykata e shkallës së parë në Fier kishte lënë në fuqi masën e arrestit “detyrim me paraqitje” para oficerit të policisë gjqyësore, ndërkohë që Gjykata e Apelit Vlorë e ndryshoi masën duke vendosur “arrest me burg”, çka solli edhe arrestimin e tyre.

Proçedimi penal për këtë çështje nisi pas kallëzimit të Partisë Socialiste për pesë komisionerët e qendrës së votimit në Ruzhdie. Dyshimet u konfirmuan më pas edhe nga laboratori i kriminalistikës, pas ekspertimeve grafike të kryera në firmat e hedhura prej zgjedhësve.

Ndërkohë që nga verifikimet në sistemin TIMS rezultoi se prej pesë komisinerëve ishin shkelur proçedurat ligjore të votimit në kundërshtim me dispozitat e Kodit Zgjedhor, pasi 11 zgjedhës të kesaj qendre votimi rezultonin të kishin qenë jashtë vendit në kohën kur ata edhe kishin votuar në Shqipëri. Po ashtu, për 80 zgjedhës të tjerë laboratori i kriminalistikës deklaroi se u ishin fasifikuar firmat.

Top Channel