Schumacher, familja: Nuk do të dorëzohet!

02/01/2014 18:30

Asnjë risi mbi kushtet e ish-kampionit të Formula 1, i cili gjendet i shtruar për të 5-tën ditë radhazi në spitalin e Grenoble, në Francë.

Të premten, ditë e shënuar për shkak të 45-vjetorit të lindjes së tij, do të ketë zhvillime të reja nga skuderia Ferrari dhe të gjithë ferraristët nga e gjithë bota, të cilët po përgatisin manifestime dhe iniciativa që i shkojnë për shtat një kampioni të 7-fishtë.

Duke falënderuar të gjithë ata, që anembanë botës janë ende në ankth për të mësuar rreth kushteve fizike të Schumacher e që deri më tani kanë dhënë mesazhe të forta urimi për kthimin e tij në gjendjen e mëparshme, familja e Michael ka theksuar se përkrahja dhe mbështetja e jashtëzakonshme po u jep më shumë kurajo për të besuar në përmirësimin e gjendjes së tij.

Në fund, familjarët e mbyllin mesazhin afeksionues me një fjali rrënqethëse. “E dimë të gjithë, se ai është një tip luftarak dhe që nuk do të dorëzohet as edhe përpara kësaj sfide. Falemnderit”.

Për 45-vjetorin e Schumacher, faqja e internetit e skuderisë Ferrari ka njoftuar se do të shfaqë fotot e 72 sukseseve të Schumi-t, në një galeri fotografish që do të rikthejnë në memorien e të gjithëve 7 titujt kampion bote të pilotit gjerman.

Por, edhe klubi “Ferrari” do të jetë i pranishëm në Grenoble për të festuar përvjetorin e lindjes së tij. “Në këto ditë të vështira dhe me rastin e ditëlindjes së tij, skuderia “Ferrari Club” kanë vendosur të shfaqin hapur mbështetjen e tyre ndaj Michael Schumacher, ndaj dhe po organizojnë një manifestim të heshtur dhe në respekt të ngjarjes, por të ngjyrosur gjithandej me të kuqe, përfshi edhe Qendrën Spitalore Universitare të Grenoble”. Festa për këtë ceremoni i shkon të gjithë të apasionuarve dhe atyre që kanë dëshirë të marrin pjesë, duke shfaqur praninë e tyre me ish-pilotin ferrarist.

Edhe pse gjendja e Schumacher paraqitet e qëndrueshme, diçka pozitive pavarësisht se piloti gjerman nuk i ka shpëtuar përfundimisht rrezikut, zëdhënësja historike e tij, Sabine Kehm, ka konfirmuar se gjatë së enjtes nuk do të ketë asnjë njoftim mjekësor.

Top Channel