Pragsfida Juve-Roma, të rejat e fundit

02/01/2014 19:10

Pirlo është gati dhe kundër Romës do të zbresë në fushë. Njoftimi qarkullonte prej ditësh, por zyrtarisht është bërë i ditur vetëm gjatë së enjtes, pas testeve decizive në miqësoren ndaj Cuneo.

Pirlo luajti vetëm 45 minuta, duke zëvendësuar Marchisio-n, por fantazisti breshian shfaqi sërish gjakftohtësinë e tij karakteristike në mesin e fushës, ndërkohë që gjuri i djathtë dukej tërësisht i rikuperuar, pas dëmtimit të pësuar më 1 Dhjetor kundër Udinezes.

Ndërkohë, përpara sfidës me Romën, duke nisur nga e shtuna, do të rikthehet të flasë në konferencë për shtyp edhe tekniku bardhezi, Antonio Conte, i cili kishte braktisur daljen përpara mikrofonëve përpara sfidës me Atalantën dhe gjithashtu pas ndeshjes së zhvilluar në Bergamo.

Situata në kampin bardhezi duket pozitive, teksa në përgatitjet para supersfidës së fundjavës ka munguar vetëm Tevez, i cili ka punuar i diferencuar nga ekipi, sipas sugjerimeve të stafit bardhezi. Në miqësoren e zhvilluar në mesjavë, ka qenë i pranishëm edhe një figurë e vjetër e skuadrës torineze, David Trezeguet, ndërkohë që franko-argjentinasi do të jetë i pranishëm edhe në “Juventus Stadium” për të ndjekur duelin e së dielës ndaj Romës.

Nga kampi roman, gjithçka është zhvilluar me dyer të mbyllura, pra një stërvitje “top secret”. Trajneri Rudi Garcia ka pasur të gjithë ekipin në dispozicion, me përjashtim të mungesës afatgjatë të Balzaretti-t dhe portierit Lobont, në gjendje gripale.

Në Trigoria, fushën sportive të Romës, Garcia ka zhvilluar seancën stërvitore, pasi u ka dhënë fillimisht leksione taktike të besuarve të tij. Skuadra është fokusuar kryesisht në fazën sulmuese, gjatë përgatitjeve, ndërsa nuk mbetet pas edhe përgatitja fizike në palestër për disa lojtarë.

Castan: Për ne është si një finale!
Në prag të sfidës së fundjavës, duket një rritje e tensioneve në të dyja kampet. Leandro Castan është ndër të vetmit që ka folur rreth përballjes me Juven, të dielën: “Për ne është si një finale, – pranon mbrojtësi verdhekuq. – Roma e Juve janë skuadrat më të forta aktualisht në Serinë A”. Sekrete duket se nuk ka, por forca e ekipit është pikërisht mbrojtja: “Garcia na ka dhënë besim. Mund t’ia dalim mbanë, nuk do të dorëzohemi. Çfarë dua në 2014-n? Titullin dhe grumbullimin me kombëtaren”.

Pogba: Humbëm Champions-in, e vetmja garë për t’u fituar!
“Synojmë ta fitojmë këtë sfidë. Sigurisht që ka pasur zhgënjim, apo më mirë të them hidhërim për eliminimin nga Champions, është e kotë të mohohet”. Kështu është shprehur Paul Pogba, i cili kërkon të karikojë kolegët e tij përpara sfidës me Romën. “Në Stamboll nuk ishin kushtet e përshtatshme për të luajtur, por mbeten në lojë të gjithë titujt e tjerë, nga titulli kampion e deri te Botërori, – lexohet në intervistën e tij për mediat italiane. – Rudi Garcia? Nuk e njoh personalisht, edhe pse jemi të dy francezë. Por, nuk ka pasur aspak probleme ambientimi, as në Romë (qytet) dhe as te Roma (skuadër). Duket që është i përshtatshëm, kollaj të kuptohet”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA