Dinho rikthehet në Europë, te Beshiktashi

01/01/2014 00:00

Ronaldinho pritet të rikthehet sërish në Europë. Jo në nivelet më të larta të futbollit, por destinacioni i ardhshëm i tij mund të jetë Beshiktash.

Sipas të përditshmes turke “Gazete Vatan”, “është arritur tashmë akordi mes brazilianit dhe klubit nga Stambolli”.

Roberto de Assis, vëllai dhe agjenti i ish-fantazistit të Barcelonës e Milanit, besohet të ketë takuar Ahmed Nur Ebi, zv/president i Beshiktashit, për të përmbyllur marrëveshjen dy-vjeçare prej 6 milionë eurosh në vit, që do të dërgonte brazilianin në Turqi, vetëm pak kohë pasi ka fituar “Topin e Artë” të Amerikës së Jugut.

Për tratativën mes Ronaldinho-s dhe Beshiktashit flasin prej kohësh në mediat braziliane, ndërsa tashmë duket se gjithçka po konkretizohet, duke pasur avantazh edhe faktin që lojtari nuk ka rinovuar ende kontratën e tij me Atletico Mineiro-n, që i skadoi në fundvitin e 2013-s.

Ronaldinho kishte hyrë në tratativa edhe me klubin brazilian të Palmeiras.

Top Channel