Braida lë Milanin: Do flas kur të vijë koha!

01/01/2014 00:00

Ariedo Braida i ka thënë lamtumirë Milanit, në një ceremoni mes miqsh e
të ftuarish, mes trokitjes së gotave me pije dhe “flash”-eve të
aparatëve fotografikë të gazetarëve, të cilët kanë “përjetësuar” minutën
e fundit si drejtues i kuqezinjve, pas 28 vitesh eksperiencë te Milan.

“Nga sot jam teknikisht i papunë”, bën shaka Braida për mediat italiane, ndërkohë që shoqërohej dhe bënte batuta me Pippo Inzaghi-n, i vetmi milanist që e shoqëronte në darkën e shtruar, ku merrnin pjesë edhe drejtues mediash, shefa ekzekutivë të kompanive private dhe sigurisht edhe bashkëshortja e tij.

“Sapo të ketë lajme të mira, do të jem unë që do të flas i pari”, shtoi më tej Braida. Gjatë darkës, pati edhe kohë për të folur rreth futbollit. Nga shkëmbimi i pashmangshëm mes Nainggolan e Brian Cristante, i pari pritet të vijë nga Cagliari për t’u veshur kuqezi, ndërsa i dyti del nga akademia e Milanit për të vijuar më tej në Sardenjë, e deri te e ardhmja e Braida-s.

Ka shumë mundësi, edhe pse nuk është hedhur asnjë firmë e zezë mbi të bardhën. Në Itali, për Braida-n është interesuar Sampdoria, me një rol si vëzhgues për zbulimin e talentëve. Por, ëndrra në sirtar e Ariedo-s është ajo e pasjes së një eksperience jashtë vendit.

Në synimet e tij është Monaco, që edhe ka shfaqur interes për të. Gjithsesi, veç kampionatit francez, oferta priten edhe nga ai turk, edhe pse emri i skuadrës mbetet “top secret”.

Atë e njeh vetëm Adriano Galliani, një mik-vëlla, që e ka ftuar jo si koleg, por si mik, nga Brazili i largët ku po kalon pushimet, nëpërmjet një telefonate private, që është mbyllur me një ftesë të veçantë: “Ariedo, të dielën të dua sërish në ‘San Siro’, për të parë Milanin tënd”.

Top Channel