Tentativë grabitjeje në Vlorë

31/12/2013 00:00

Persona të kamufluar me kapele dhe tuta sporti, si dhe të armatosur me pistoleta tentuan të grabisnin supermarketin “Conad” në mes të qytetit të Vlorës.

Ngjarja u verifikua rreth orës 22:30 të së hënës. Supermarketi në ditët e fundit ka punuar me orare të zgjatura dhe sapo ishte mbyllur në momentin e tentativës, por një pjesë e personelit ishte brenda për veprimet e fundit.

Njëri prej grabitësve tentoi të hynte nga dera e përparme, por e paqartë mbetet situata se përse të gjithë ata, sipas dëshmive dy ose tre vetë, u larguan pa grabitur gjë.

Policia mbërriti në vendngjarje dhe rrethoi zonën, duke bllokuar qarkullimin e mjeteve në bulevardin Vlorë-Skelë dhe për shumë orë kërkoi në bllokun e pallateve autorët.

Edhe policia shkencore shkoi në vendngjarje, ku mblodhi gjurmët si dhe mori pamje filmike nga kamerat e sigurisë dhe po punon për identifikimin e autorve të tentativës së grabitjes.

Top Channel