“Ngrijnë” pasuritë e Belle Air

30/12/2013 00:00

Gjykata Civile vendosi që mbi pasuritë e kompanisë ajrore Belle Air të
mos kryhet asnjë veprim apo ndërhyrje nga përmbarimi, deri në shprehjen e
gjykatës lidhur me falimentimin e shoqërisë.

Në seancën e ditës së hënë, gjykata pranoi kërkesën e paraqitur nga avokati i kompanisë, për vendosjen e masës së sigurisë së perkohshme mbi asetet e shoqërisë. Sipas avokatit Avni Shehu, kjo masë është e domosdoshme për të mbrojtur gjendjen e kompanisë dhe kreditorët e saj, për të mos ndodhur asnjë abuzim me të.

Po në këtë seancë, gjykata dëgjoi raportin e ekspertes kontabël, të caktuar për të kryer vlerësimin e situatës financiare në të cilën gjendet kompania.

Sipas ekspertes, kompania ajrore plotëson kushtin ligjor për paraqitjen e falimentimit. Ekspertja thotë se shoqëria nuk ka likuiditete dhe ka akumuluar një borxh afatshkurtër që llogaritet në shumën e 21.5 milionë eurove. Në përfundim të seancës, gjykata i kërkoi gjithashtu Drejtorisë së Tatimeve bilancet e tre viteve të fundit të kompanisë. Belle Air ndërpreu fluturimet në datën 24 nëntor duke lënë në dyert e aeroportit me qindra udhëtarë që kishin prenotuar për të kryer udhëtimet me këtë kompani deri dhe ditën kur shoqëria deklaroi falimentimin.

Top Channel