Nesta: Berlusconi, shpëto Milanin tonë!

30/12/2013 22:40

Ish-futbollisti i kombëtares italiane, Alessandro Nesta, i kërkoi presidentit Silvio Berlusconi investime të menjëhershme për të ngritur Milanin në nivelin që meriton.

Sipas Nestës, i cili fitoi dy tituj kampionë dhe dy Champions League në radhët e kuqezinjve, është e papranueshme që kjo skuadër e madhe të ndodhet në pozitat e saj të mjerueshme të momentit, me vetëm 19 pikë të grumbulluara në 17 ndeshjet e para e vetëm pesë pikë mbi zonën e rënies nga kategoria.

“Ishte e parashikueshme që do të ndodhte një rënie e nivelit. Është duke ndodhur një ndryshim brezash në çdo nivel të klubit, por Berlusconi duket të rikthehet me angazhimin e dikurshëm, me pasionin dhe nivelin e tij të ekspertizës. Është e domosdoshme që në klub të mbërrijnë futbollistë të mëdhenj dhe të realizohen investime, ashtu siç ka ndodhur në të shkuarën”, deklaroi Nesta.

I pyetur për tranzicionin që po ndodh tek Interi, qendërmbrojtësi komentoi: “Në Itali jemi të mësuar që klubet t’i përkasin vetëm nocionit “made in Italy”. Megjithatë, në mënyrë që të arrihen nivelet e dëshiruara, është e nevojshme që të ketë edhe investime nga jashtë. Është shumë e trishtueshme të shikosh skuadrat tona që mbeten në grupe apo në raundin e parë pas grupeve në Champions League. Premier League u bë një kampionat i madh pikërisht nga kapitali që u investua në të, diçka e tillë duhet të ndodhë edhe në Itali”.

Top Channel