“Në pranga nëse përdor alkool”

29/12/2013 00:00

Përdorimi i alkoolit dhe drejtimi i makinës pa leje tashmë të kushtojnë të paktën 48 orë në dhomat e shoqërimit të policisë.

Vetëm brenda këtij muaji 70 persona janë arrestuar dhe kanë përfunduar në Gjykatë për këto shkelje. Kamera e Top Channel ndoqi patrullat e Policisë Rrugore gjatë një nate në operacionin e verifikimit të drejtuesve të automjeteve.

Një drejtues mjeti shoqërohet pasi postblloku i Policisë Rrugore konstatoi se ai nuk dispononte patentë e për pasojë, me ndryshimet në ligj, ky person mund të arrestohet. Por, ndërsa nga testi i tubit rezulton se ai nuk është i dehur, dhjetëra të tjerë gjatë fundjavës kanë përfunduar në pranga në vijim të ashpërsimit të masave të policisë për akuzën e drejtimit të mjetit në gjendje të dehur.

Për këtë vepër, vetëm në kryeqytet Policia Rrugore ka arrestuar që nga muaji dhjetor 70 persona. Në një ditë normale, në Gjykaten Penale dalin para gjyqtarëve tre deri në katër qytetarë të arrestuar në gjendje të dehur.

Megjithatë, për avokatët qëndrimi i policisë në referim të Kodit duhet të shikohet me kujdes. Vladimir Meçi shpjegon: “Fakti që në mbi 95% e rasteve Prokuroria nuk ka vepruar me caktimin e një mase sigurie arrest me burg për personat e ndaluar, tregon që ky është një ekses nga ana e policisë.”

Por, si mund ta kuptoni se sa alkool keni konusmuar që të shmangni përdorimin e makinës? Kontrollori i trafikut, Ilirian Jaupi, thotë: “Nëse gjatë testit me epruvetë ne konstatojmë që përqindja e alkoolit në gjak është mbi 0.5, drejtuesi i mjetit konsiderohet i dehur dhe vazhdojmë procedurat sipas Kodit Penal.”

Për të gjithë ata që pinë pak alkool, sërish kujdes sepse edhe nën 0,5%, vërtet mund të mos jeni të dehur, por konsideroheni se jeni nën ndikimin e alkoolit e për pasojë, rrezikoni patentën.

Top Channel