Vajzat e Pussy Riot nuk tërhiqen

27/12/2013 00:00

“Duam të vazhdojmë atë për të cilën përfunduam në burg. Ashtu si më parë, duam të përzëmë presidentin rus Vladimir Putin. Në vend të tij do të më pëlqente shumë Mikhail Khodorkovsky”.

Kështu ka deklaruar liderja e grupit Pussy Riot, Nadia Tolokonikova, në një konferencë shtypi në moskë bashkë me anëtaren tjetër të grupit Maria Alyokhina.

“Lirimi i anëtareve të Pussy Riot është dhënë për të përmirësuar imazhin e Rusisë para Lojrave Olimpike në Soçi, që janë projekti i preferuar i presidentit Vladimir Putin”, ka vijuar Tolokonikova.

Ndërsa anëtarja tjetër e grupit, Maria Alyokhina ka thënë se Kisha Ortodokse ruse ka luajtur një rol të rëndësishëm në burgimin e tyre në vitin 2012.

Anëtaret e grupit ‘punk’ Pussy Riot u dënuan pasi kënduan një këngë kundër presidentit Putin në katedralen e Moskës, veprim që shefi i Kremlinit e cilësoi si një fyerje për Kishën Ruse.

Ato u liruan pak ditë më parë përmes një amnistie të shpallur nga vetë Putin, në një kohë kur dënimi u përfundonte në gusht të vitit të ardhshëm.

Përmes së njëjtës amnisti u lirua edhe ish-pronari i kolosit rus të naftës, “Yukos”, Mikhail Khodorkovsky, i cili vetëm pak ditë më parë u bashkua me familjen e tij në Gjermani.

Top Channel