Të famshmit që ndërruan jetë

27/12/2013 00:00

Në 2013 ndërruan jetë disa të famshëm, njerëz që kanë bërë historinë në politikë, art, kulturë, kinema, muzikë e të tjera fusha.

Sigurisht, humbja më e madhe e njerëzimit për 2013 vlerësohet Nelson Mandela. Madiba ndërroi jetë më 5 dhjetor në Johanesbugr në moshën 94-vjeçare. Do të mbahet mend si njeriu që shembi aparteidin në Afrikën e Jugut me qëndrimet e tij paqësore.

6 maj 2013 vdes Giulio Andreotti, njëri prej politikanët më të njohur dhe më kontravers të politikës italiane, në atë që njihet si Republika e Parë. Hyri në parlament në moshën 26-vjeçare dhe që prej asaj kohe nuk u largua më prej tij, deri kur ndërroi jetë. Tetë herë Kryeministër i Italisë por ambicia për t’u bërë President nuk u realizua, për shkak se asnjëherë nuk mundi të sigurojë konsensusin e të gjitha forcave politike për t’u zgjedhur në këtë post.

8 prill 2013, ndërron jetë Margareth Thatcher. Kryeministrja e parë femër që udhëhoqi Britaninë e Madhe në periudhën e saj më të vështirë të kohëve moderne. Politikat e ashpra konservatore të saj rilindën ekonominë e rrënuar ndërsa udhëheqja e luftës ndaj Argjentinës për Ishujt Falkland i përforcuan nofkën “Zonja e Hekurt”.

5 mar 2013. Vdes Hugo Chavez. Ushtarak dhe politikan. Drejtoi Venezuelën që prej vitit 1999 deri në ditën kur vdiq. Gëzonte popullaritet në masë për shkak të politikave të tij në ndihmë të të varfërve. Në arenën ndërkombëtare u bë i famshëm për qëndrimet e tij kundër Shteteve të Bashkuara.

27 tetor. Ndërron jetë Lou Reed. Kitarist, kantautor dhe poet amerikan. Para se t’i dedikohej karrerës si solist themeloi “Velvet Underground”.

19 qershor 2013, vdes papritur James Gandolfini. Aktor dhe producent filmash e serialesh. U bë i famshëm sidomos me rolin dhe interpretimin e shkëlqyer në serinë televizive “Sopranot”.

13 korrik 2013. Ndërron jetë papritmas Cory Monteith, aktori i “Glee” ku u njoh me Lea Michele, protagonistja tjetër e programit.

30 nëntor 2013. Një aksident tragjik me makinë i mori jetën aktorit Paul Walker. Ka luajtur në shumë filma në role protagoniste dhe joprotagoniste, por famën do të arrinte me rolin e tij në seritë e “Fast and Furious”.

Top Channel