Sudani i Jugut, qeveria pranon armëpushimin

27/12/2013 00:00

Qeveria e Sudanit të Jugut ka rënë dakord për vendosjen e një armëpushimi të menjëhershëm me rebelët, kanë bërë të ditur liderët e Afrikës Lindore pas takimit në Nairobi, Kenia.

Duke mirëpritur angazhimin e qeverisë së presidentit Salva Kiir, liderët e vendeve afrikane i bënë thirrje liderit të rebelëve Riek Machar që të bëjë të njëjtën gjë, pasi luftimet kanë vazhduar.

Por Machar deklaroi në një prononcim për BBC se kushtet për armëpushim nuk janë plotësuar ende. Ai konfirmoi se dy nga aleatët e tij janë liruar nga burgimi, por bëri thirrje për lirimin e nëntë të tjerëve.

Lirimi i 11 politikanëve, të akuzuar se po planifikonin një grusht shteti, ka qenë një kusht kyç i rebelëve për të negociuar me qeverinë sudaneze.

Luftimet e fundit lanë të paktën 1 mijë persona të vdekur, me beteja të ashpra të verifikuara në qytetin Malakal, në Shtetin e Nilit të Sipërm, shumë i pasur me naftë.

Mbi 121.600 persona kanë braktisur shtëpitë e tyre nga shteti më i ri i botës, me rreth 63 mijë prej tyre që po kërkojnë strehim në kampet e OKB-së në zona të tjera të vendit.

Ndërkohë, nga vetë zyra e presidentit Kiir nuk ka ardhur ende konfirmimi se ai ka rënë dakord për t’i dhënë fund konfliktit të armatosur.

Ai është i angazhuar në një përplasje të egër për pushtet me Machar, dikur zëvendëspresidenti i tij. Anëtarë të grupit etnik të zotit Kiir, Dinka, dhe ata të etnisë Nuer të cilës i përket Machar janë përballur në konflikte të armatosura që kanë shkaktuar gjakderdhje të mëdha.

Liderët e vendeve të Afrikës Lindore, që përbëjnë bllokun 8-anëtarësh të njohur si IGAD, zhvilluan bisedime në kryeqytetin e Kenias, Nairobi, një ditë pasi liderët e Kenias dhe Etiopisë takoi zotin Kiir në Juba të Sudanit Jugor.

Top Channel