Kontrolli Teknik i Automjeteve është shndërruar në ferr dhe qytetarët e Tiranës duhet të flenë në makina për të mbajtur radhën.

Rruga Vorë-Fushë-Krujë, tashmë shërben si vend parkimi për makinat që mbajnë rradhë për t’u futur në të vetmen pikë kontrolli teknik të Tiranës.
 
Qytetarëve u duhet të shpenzojnë deri në 24 orë për të kryer kolaudimin e automjeteve dhe për të mbajtur radhën u duhet të flenë në makinë.

“Kam qe në orën 19 të mbrëmjes së kaluar, të tjerë kam parë plot që kanë ardhur në 4 ose 5 të mëngjesit. Eshtë një rrëmujë e madhe, polici nuk ka fare. Si qytetar i thjeshtë mundohem të mbaj radhën, por e shoh që është shumë e vështirë”, thotë një qytetar.

“Kam ardhur në orën 3 të mëngjesit dhe shoh që nuk ka asnjë lloj rregulli”, thotë një tjetër qytetar.

Të irrituar, qytetarët kërkojnë t’i jepet fund monopolit të shërbimit të Kontrollit Teknik të Automjeteve dhe hapjen e pikave të tjera.

“T’i jepet e drejta të gjithë koncesionarëve që çdo makinë mund të shkojë të bëjë kontrollin lehtesisht. Kështu kursehet koha, paratë, nervat. Nuk mund ta përballojmë këtë qëndrim të gjatë këtu se duhet të shkojmë në punë”, thotë një tjetër qytetar.

Top Channel