Shtyhen për një afat të pacaktuar seancat inauguruese të katër komunave në veri të Kosovës. Kjo për shkak se kryetaret e sapozgjedhur serbë nuk kanë pranuar të betohen dhe t’i kryejnë procedurat e tjera sipas ligjeve të Kosovës, duke refuzuar kështu edhe logon e shtetit në ftesat dërguar asambleistëve.

Nga ana tjetër, edhe Prishtina zyrtare ka paralajmëruar se nuk do t’i njohë kuvendet komunale, të cilat nuk i zbatojnë ligjet e shtetit.

Edhe njoftimi për shtyrjen e seancave është bërë paralelisht nga Qeveria e Kosovës dhe nga kryetarët serbë të komunave. Ka qenë Ministria e Pushtetit Lokal, e cila njoftoi se në bashkëpunim me Bashkimin Europian i është kërkuar komunave në veri që të shtyhen seancat e planifikuara për këtë të martë.

Siç thuhet në komunikatë, kjo kohë duhet të shërbejë për të përmirësuar përgatitjet për mbajtjen e seancave inauguruese në përputhje me ligjet e Kosovës.

Nga ana tjetër, katër kryetarët serbë të komunave, Mitrovicë Veriore, Leposaviç, Zveçan dhe Zubin Potok, nëpërmjet një komunikate njoftuan se seancat janë shtyrë me kërkesë të Qeverise së Serbisë dhe lutje të Bashkimit Europian.

“Mosmarrëveshjet lidhur me përmbajtjen e ftesave për seancën e betimit në të cilën duhet të vërtetohen mandatet dhe të nënshkruhet deklarata e betimit do të zgjidhen ndërmjet Kryeministrit të Serbisë, Ivica Daçiç dhe përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga kryetarët e komunave Leposaviç, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut.

“Ftesat për seancën e Asamblesë Komunale janë bërë me rregull për këshilltarët komunalë, por çuditërisht Prishtina ka kërcënuar se nuk do t’i njohë institucionet komunale. Tash është plotësisht e qartë që Prishtina nuk i përmbahet marrëveshjes së Brukselit, që Republika e Serbisë nuk i njeh vendimet e njëanshme të Prishtinës dhe se zyrtarët shqiptarë i frikësohen formimit të Bashkësisë së Komunave serbe”, vazhdon komunikata e liderëve serb.

“Ne, përfaqësuesit legjitimë dhe legalë të qytetarëve tanë do të vazhdojmë t’i japim mbështetje të plotë qeverisë së Serbisë në zbatimin e plotë të marrëveshjes së Brukselit për formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe, e cila qartë paraqet rrezik të madh për aspiratat separatiste të shqiptarëve të Kosovës”, thuhet në fund të komunikatës së kryetarëve serbë të katër komunave në veri.

Top Channel