Amnistia, përfitojnë 550 të dënuar

24/12/2013 00:00

Pothuajse 550 persona që aktualisht mbahen si të dënuar në burgje, pa llogaritur një numër të konsiderueshëm që janë nën shërbim prove pritet të përfitojnë nga amnistia, sipas këtij projektligji të dorëzuar në Këshillin e Ministrave nga Ministria e Drejtësisë.

Në amnisti propozohet të përfitojë cdo i dënuar me burg për vepra që parashikojnë deri në dy vjet burg, cdo person që është me dënim alternativ i dënuar deri në dy vite burg, si dhe të pushohet cdo hetim apo procedim penal në prokurori për vepra penale të kryera deri më datën 30 nëntor që parashikojnë dënimin deri në dy vjet burg.

Ministria e Drejtësisë mendon se aplikimi i amnistisë nuk duhet parë vetëm si një akt mëshirë, por si një akt për të rivendosur dinjitetin e të dënuarve si dhe një gjetje për të ulur mbipopullimin duke qenë se aktualisht mbahen në qeli 950 persona mbi kapacitetin e tyre.

Cilët janë personat që përfitojnë aministi sipas këtij projekligji? Të gjithë personat e dënuar deri në 2 vjet burgim për dënimet e shpallura me vendim të formës së prerë deri më datën 30 nëntor 2013.

Në projektligj parashikohet të përfitojnë amnisti edhe edhe ata persona për të cilët gjykata ka vendosur dënimin alternativ, personat e dënuar me gjobë  për pjesën e pashlyer të saj, pavarësisht masës së gjobës , personat e dënuar me burgim të cilëve deri më datën 30 nëntor u ka mbetur pa vuajtur nga ky dënim edhe tre vjet heqje lirie, femrat që kanë mbushur moshën mbi 55 vjec dhe meshkujt mbi 60 vjec apo të dënuarit që në kohën e kryerjes së veprës penale kanë qenë baraz apo nën moshën 18 vjec me përjashtim të atyre për krime kundër jetës, kundër fëmijëve, krimet seksuale, kundër shëndetit dhe autoritetit të shtetit.

Përjashtohen gjithashtu nga amnistia veprat ushtarake, veprat me qëllime terroriste, veprat penale në kuadër të bandave, veprat që prekin zgjedhjet, veprat kundër lirisë së personit si dhe veprat kundër moralit dhe dinjitetit si edhe ata që i janë shmangur ekzekutimit të dënimit të dhënë.

Top Channel