Qytetërimi europian dhe sindroma e Aliut

23/12/2013 00:00

ILIR YZEIRI – Institucionet e Bashkimit Europian nuk na refuzuan
pranimin në Europë, por na e shtynë afatin në mënyrë që ne të kryejmë
edhe disa reforma më të thella e më bindëse për të qenë të denjë dhe për
ta merituar statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian.

Historia e Shqipërisë me Europën është një nga historitë më komplekse, plot me keqkuptime, me dashuri e urrejtje, me cinizëm e vetëpërjashtim, me të gjitha anët e errëta e zonat gri që projektohen zakonisht në një marrëdhënie mes një familjeje dhe një anëtari të saj. Pa hyrë shumë thellë në histori, po të ngjitemi vetëm pak më shumë se një shekull më lart, do të dallojmë se Shqipëria kishte ardhur në fund të shekullit XIX, duke dalë nga një natë e gjatë dhe e thellë, pa asnjë institucion europian. Në vend të gjykatave kishte kadiun, në vend të Parlamentit kishte odat apo sheshet e fshatit.

Institucioni më i lartë ishte beu ose pashai që e merrte pushtetin nga Baba Dovleti dhe bënte kërdinë mbi të mjerët shqiptarë poshtë. Pas rënies së Skënderbeut, shqiptarët shthuren dhe izolohen nga njëri-tjetri duke u tërhequr thellë në male ose duke u tjetërsuar në baltrat e fushës.

Siç thotë e famshmja Dora D’Istria, shqiptarët patën si trashëgimi intelektuale vetëm poezinë dhe ligjërimin e improvizuar. Shqipëria, siç e dimë të gjithë, në fund të shekullit të kaluar, kur Perandoria turke po fundosej u gjendën në krahun e gabuar. Falë bijve të saj që ishin në emigracion, Shqipëria u bë dhe u krijua si shtet më vete, por me një kosto të rëndë. Më shumë se gjysma e saj mbeti jashtë kufijve. Që në këtë çast, marrëdhëniet tona me Europën nisën në mënyrë atipike. Ishte harruar Shqipëria e krishterë që u martirizua për Krisht e troje të veta.

Tani ne shiheshim si një mbetje otomane në Ballkan dhe gjysma e parë e shekullit të kaluar ishte një shfaqje tragjike e një tragjedie që luhej me cinizëm sa nga aktorë shqiptarë aq edhe nga europianët. Mjaft të kujtojmë gjithashtu se si e shpëtoi fatin tonë presidenti Uillson për të kuptuar se në lëmë të qeverisjes, ne jo vetëm jemi një shtet i ri, por edhe ekzistencialisht kemi qenë një shtet në provë. Dhe kur shqiptarët nisën të qeverisen, siç e përmenda më lart, duhet ta fillonin gjithçka nga e para. Mirëpo modeli i përpunuar në nënvetëdije dhe sindroma zotëruese e stilit qeverisës të shqiptarit është ajo që e kam quajtur sindroma e Aliut. Kam parasysh Ali Pashë Tepelenën. Po ta lexosh me vëmendje historinë e këtij njeriu që qeverisi rajonin më të gjerë brenda Perandorisë Otomane, do të shikosh se ai mishëron të gjitha cenet antropologjike të shqiptarit. Por thelbi i stilit të tij qeverisës ishte jo ligji, por pasioni, jo institucionet por autokratizmi. Ky model thellësisht oriental dhe arkaik plekset edhe me një lloj shthurjeje etike. Mungesa e identifikimit me një kulturë të ngulitur dhe triumfi i egoizmit provincial, të pleksura këto me karakteristikat e luftëtarit dhe njeriut me guxim e trimëri mbi normalen që ky vend i ka me tepri, krijuan në Shqipëri modelin e qeverisjes unitare, me pushtet të pakontrolluar në dorë të një njeriu.

Ahmet Zogu gjithë meritën që pati në fillim kur mori pjesë aktive në ruajtjen dhe në ndërtimin e shtetit të parë shqiptar, e hodhi poshtë dhe e shkeli me këmbë kur u bë autokrat dhe nisi ta shohë veten mbret dhe të përjetshëm si dhe kur vrau kundërshtarët e tij politikë. Enver Hoxha e asgjësoi në mënyrë fatale ëndrrën dhe veprën e mijëra luftëtarëve që donin të ndërtonin një Shqipëri të pavarur e demokratike. Edhe ai, ashtu si Zogu, qeverisi si Ali Tepelena, sepse në nënvetëdije ruhej e njëjta sindromë. I sëmuri i fundit nga kjo sindromë ishte Sali Berisha. Ky turkoshak e ky oriental i mjerë i përzjeu gjatë qeverisjes së tij të gjitha zullumet e etërve të tij shpirtërorë. Ai instaloi në Shqipëri jo shtetin ligjor, por shtetin e njëshit, shtetin që vihet në zotërim dhe në varësi të një njeriu.

Ne sot nuk kemi institucione të pavarura dhe të ndara, sepse nuk kemi qytetërim europian. Ne vijmë nga ajo traditë që unë sapo e ceka. Zogu ngriti vetë një Parlament që e asgjësoi po vetë. Komunistët kur hynë në Tiranë, gjetën vetëm godina ministrish të boshatisura, por nuk gjetën një godinë hijerëndë Parlamenti. Ata e ngritën vetë atë dhe e quajtën ashtu siç deshën vetë, herë Front e herë Kuvend, por duke ia shkulur përmbajtjen këtij institucioni dhe duke e kthyer thjesht në një vegël në dorë të një njeriu. Këtë traditë e vijoi edhe Sali Berisha dhe rezultati sot është ky që ne kemi një fshat të tërë me emrin Lazarat që mbjell drogë dhe sfidon shtetin, ne kemi dhjetëra apo qindra familje të ngujuara, kemi fëmijë që rrinë të ngujuar se kanë frikë nga hasmi. Ne kemi ndërtuar një ekonomi kriminale dhe një klasë politike të inkriminuar. Qeveritarët dhe shtetarët e lartë të PD-së që ikën nga pushteti, hynë pa brekë në bythë dhe e lënë pushtetin me vila dhe me makina mbi 50 mijë euro. Te ne mafia dhe krimi i organizuar dikton shtetin, ndërsa në vendet rrotull nesh shteti dhe institucionet e tij ndeshen me mafien dhe e luftojnë atë, megjithëse ajo mund të jetë më e sofistikuar dhe më e fortë se te ne. Ndaj shtyrja e afatit për të marrë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian, është një sinjal që do të thotë se ne duhet të shkëputemi nga sindroma e Aliut apo e Pashait.

Top Channel